Kalifornia padit administratën Trump: Tarifat doganore janë të paligjshme

Ndoshta nuk jemi ende në prag të një “Republike të pavarur të Kalifornisë”, por shteti më i pasur dhe më i populluar i SHBA-ve është bërë gjithashtu i pari që sfidon Donald Trump-in mbi tarifat doganore.
Kalifornia ngriti të mërkurën një padi duke kërkuar të bllokojë tarifat gjithëpërfshirëse të presidentit amerikan Donald Trump ndaj partnerëve të huaj tregtarë, duke e akuzuar atë për abuzim me pushtetin e tij dhe për shkaktimin e dëmeve financiare ndaj shtetit dhe kombit.
Ishin Guvernatori Gavin Newsom dhe Prokurori i Përgjithshëm Rob Bonta ata që ngritën këtë padi në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së për Distriktin Verior, duke argumentuar se Presidenti nuk ka autoritetin për të vendosur tarifat në mënyrë të njëanshme.
Sipas La Repubblica ata kërkuan nga gjykata që t’i bllokojë menjëherë këto tarifa, me arsyetimin se po shkaktojnë dëme të mëdha dhe të pariparueshme.
Kjo përfaqëson një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj gjithë strategjisë tarifore të Trump-it, dhe nëse padia do të ketë sukses, do të ndalojë zbatimin e këtyre tarifave në të gjithë vendin. Për pasojë, do të përfitonin edhe shtetet e tjera që janë prekur nga këto masa.
Kalifornia, shteti më i fuqishëm liberal së bashku me Nju Jorkun, është në qendër të kësaj beteje, dhe guvernatori Newsom nuk e ka fshehur aspak ambicien për të kandiduar për president në vitin 2028.
“Donald Trump – ka shkruar guvernatori në platformën X – nuk ka autoritetin për të vendosur në mënyrë të njëanshme rritjen më të madhe të taksave të kohës sonë me tarifat e tij shkatërruese. Do ta çojmë në gjyq.” Më tej shtoi: “Tarifat e paligjshme të Presidentit Trump po krijojnë kaos për familjet, bizneset dhe ekonominë tonë kaliforniane, duke rritur çmimet dhe duke rrezikuar vendet e punës. Po mbrojmë familjet amerikane që nuk mund të përballojnë këtë kaos.”
Prokurori i Përgjithshëm Bonta e sqaroi veprimin me këto fjalë: “Zbatimi kaotik dhe i rastësishëm i tarifave nga Presidenti nuk është vetëm shqetësues, por edhe i paligjshëm. Si ekonomia e pestë më e madhe në botë, Kalifornia e kupton se politika tregtare globale nuk është një lojë.”