Kryediplomatja Gërvalla kërkon largimin e UNMIK-ut nga Kosova

Kryediplomatja Gërvalla kërkon largimin e UNMIK-ut nga Kosova

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka deklaruar se UNMIK-u nuk përmbush më asnjë funksion që do ta justifikonte praninë e tij në Kosovë, transmeton Anadolu.

Ministrja në detyrë Gërvalla e ka kritikuar Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) për shtrembërim të fakteve dhe humbje të kredibilitetit si mision.

“UNMIK-u nuk përmbush më asnjë funksion që do të justifikonte praninë e tij. Përderisa organizatat e tjera ndërkombëtare, si OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian (BE), ofrojnë vlerësime të balancuara për zhvillimet në Kosovë, UNMIK vazhdon të shtrembërojë faktet dhe në këtë mënyrë e mashtron këtë Këshill”, tha Gërvalla para të pranishmëve.

Ministrja e ka kritikuar raportimin e UNMIK-ut lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar të njëjtin si të njëanshëm dhe në shpërputhje me realitetin në terren.

“Ta quash këtë një ‘incident serioz sigurie’, siç e përshkruan raporti i UNMIK-ut, është shtrembërim i hapur i realitetit. Ky ishte një akt i pastër agresioni i sponsorizuar, armatosur dhe mbështetur nga Serbia. Ishte terrorizëm shtetëror. Ishte akt lufte,” u shpreh Ministrja Gërvalla.

Më tej, ajo tha se UNMIK-u nuk po e dëmton më Kosovën, por po e dëmton kredibilitetin e OKB-së.

Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për drejtësi, ministrja Gërvalla ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë autoriteteve kosovare Milan Radoiçiqin dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dhe të ndalet mbështetja shtetërore për strukturat kriminale në Kosovë.

Në përmbyllje, ministrja ka deklaruar se Kosova është një demokraci e konsoliduar, që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe është model për stabilitet në rajon. Megjithatë, shtoi ajo, pa drejtësi dhe pa emërtim të saktë të krimeve, paqja do të mbetet e brishtë.

MARKETING