Një muaj paraburgim ndaj katër serbëve që u arrestuan në Gjakovë

Një muaj paraburgim ndaj katër serbëve që u arrestuan në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë (30) ditësh për katër persona të dyshuar: B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të gjithë të nacionalitetit serb.

Ata po dyshohen për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Prokurorisë, më 5 prill 2025, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të dyshuarit u ndaluan nga Policia e Kosovës pasi automjeti me të cilin po udhëtonin, një veturë e tipit Toyota me ngjyrë hiri, kishte tejkaluar shpejtësinë në një zonë të kufizuar.

Automjeti drejtohej nga i pandehuri B.R.

Gjatë ndalimit, i njëjti ka deklaruar se nuk posedon asgjë të jashtëligjshme dhe ka shprehur gatishmëri për kontrollim të veturës.

Megjithatë, gjatë kontrollit, policia ka gjetur një sëpatë, një thikë me këllëf dhe një thikë sharrë – mjete të cilat të dyshuarit i kishin me vete gjatë një vizite të organizuar në disa manastire ortodokse në territorin e Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe mundësinë e ikjes nga drejtësia në rast të lënies në liri.

Të pandehurit do të mbahen në paraburgim për një periudhë prej 30 ditësh, që llogaritet nga data e arrestimit, 5 prill 2025, dhe do të zgjasë deri më 5 maj 2025.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Telegrafi/

MARKETING