OKB: Siguria ushqimore në Gaza mund të përkeqësohet seriozisht nëse nuk rifillojnë ndihmat

Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), Jens Laerke tha se siguria ushqimore në Gaza mund të përkeqësohet në mënyrë serioze nëse nuk rifillojnë furnizimet ushqimore, raporton Anadolu.
Laerke i dha përgjigje me shkrim gazetarit të AA-së lidhur me pyetjen “Për shkak të pengesave izraelite, në Gaza ka dy javë që nuk kanë hyrë ndihma humanitare. Autoritetet lokale paralajmërojnë se brenda pak ditësh mund të përjetohet një zi e re buke në Gaza. Cila është situata e fundit në terren? A ekziston një rrezik i tillë?”.
“Mbyllja e vendkalimeve të ndihmave në Gaza ka ndikim serioz në aftësinë e OKB-së dhe partnerëve të saj për të ofruar mbështetje për njerëzit në nevojë. Sa më gjatë të zgjasë ndalimi i ndihmës për Rripin e Gazës, aq më të rënda do të jenë pasojat në terren”, tha Laerke.
Sipas tij, siguria ushqimore në Gaza mund të përkeqësohet në mënyrë serioze nëse nuk rifillojnë furnizimet ushqimore. Laerke tha se grupeve humanitare u është dashur të reduktojnë rezervat individuale të ushqimit në mënyrë që të sigurojnë ndihmë për sa më shumë njerëz të pambrojtur.
– Izraeli bllokon hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza
Faza e parë 42-ditore e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza që hyri në fuqi më 19 janar, përfundoi më 2 mars.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria izraelite kanë bllokuar fazën e dytë të negociatave e cila duhej të fillonte më 3 shkurt.
Izraeli ndaloi hyrjen e të gjitha furnizimeve me ndihma humanitare në Rripin e Gazës më 2 mars dhe ndërpreu edhe furnizimin me energji elektrike për Rripin e Gazës më 9 mars.