Rubio pas dakordimit mes SHBA-së dhe Ukrainës: Topi tani është në fushën e Rusisë

Rubio pas dakordimit mes SHBA-së dhe Ukrainës: Topi tani është në fushën e Rusisë

Pas bisedimeve të sotme me zyrtarët ukrainas në Arabinë Saudite, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, tha se “topi tani është në fushën e Rusisë”.

Duke folur nga Jeddah, Arabia Saudite, ai tha se Ukraina dhe SHBA-ja kanë bërë një “hap pozitiv” gjatë bisedimeve dhe shpreson që Rusia do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë, shkruan skynews.

Këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, shtoi se është “shumë e qartë” që Ukraina ndan vizionin e presidentit amerikan, Donald Trump për paqen dhe se “ata ndajnë vendosmërinë e tij për t’i dhënë fund luftës”.

Duke folur për hapat e ardhshëm, Rubio tha se “ne do t’ia përcjellim ofertën Rusisë”.

“Ne do t’u themi atyre se kjo është ajo që është në tryezë, Ukraina është gati të ndalojë të shtënat dhe të fillojë bisedimet, dhe tani u takon atyre të thonë po ose jo”, tha ai.

“Shpresoj që të thonë po, dhe nëse e bëjnë, atëherë mendoj se kemi bërë përparim të madh”, pohoi kryediplomati amerikan.

Rubio shpjegon se pse nuk është vendosur një afat ndërsa shpreson që një marrëveshje të arrihet “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Çdo ditë që kalon, njerëzit bombardohen, njerëzit lëndohen nga të dyja anët e këtij konflikti”, tha ai para gazetarëve dhe shtoi se “presidenti dëshironte që kjo luftë të përfundonte dje dhe pardje”.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të heqin menjëherë pezullimin e ndarjes së informacioneve të inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”.

Të dyja vendet kanë thënë gjithashtu se kanë rënë dakord të përfundojnë një marrëveshje për zhvillimin e burimeve kritike minerale të Ukrainës.

Palët kanë rënë dakord gjithashtu të caktojnë ekipet e tyre negociuese dhe të nisin menjëherë bisedimet drejt një paqeje të qëndrueshme që garanton sigurinë afatgjate të Ukrainës.

Ndryshe, palët janë takuar për më shumë se tetë orë të martën në qytetin port të Arabisë Saudite. /Telegrafi/

MARKETING