Shefi i NATO, tur në Ballkan/ Sekretari i aleancës vizitë në Kosovë, Serbi dhe Bosnje

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte pritet të fillojë një tur në Ballkan, me ndalesa në Bosnje Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Vetë Rutte kishte paralajmëruar se do ta vizitonte Kosovën gjatë muajit mars në një debat që kishte pasur më herët në Bratisllavë të Sllovakisë, ku edhe u pyet nga studentët për largimin e forcave amerikane të NATO-s nga Kosova.
“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga krejt ajo çka unë po kuptoj nga sistemi amerikan, është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave ose adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe, në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të sigurt që, ne e mbajmë në fokus këtë rajon, sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në të interesin e të gjithë neve”, ishte pergjigjia e Rutte.
Rutte pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars për herë të parë që kur e mori këtë post, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut, por më parë ai do të ndalet me 10 mars në Bosnje Hercegovinë, ndërsa këtë fillim jave ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Rutte pas zgjedhjeve në Kosovë ka bërë ftesë që të vazhdojë procesi demokratik, pjesë e të cilit është edhe formimi i koalicioneve.
Delegacioni i NATO-s i kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm, Rutte, do të vizitojnë edhe misionin e KFOR-it, i cili udhëhiqet nga NATO-ja.
Në këtë mision aktualisht janë rreth 4700 ushtarë. Prej tyre kontingjentin më të madh e ka Italia me 1250 pjesëtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rreth 600 pjesëtarë në këtë mision.
Kjo vizitë e shefit të NATO-s pritet të bëhet në kohën e raporteve të tensionuara mes Evropës dhe SHBA-së, pas hapave të ndërmarrë nga administrata amerikane me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.