UNICEF paralajmëron për ndikim të rëndë tek fëmijët e Gazës pasi Izraeli ndalon dërgesat e ndihmave

UNICEF paralajmëron për ndikim të rëndë tek fëmijët e Gazës pasi Izraeli ndalon dërgesat e ndihmave

Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) ka paralajmëruar se ndalimi i dërgesave të ndihmave humanitare nga Izraeli në Rripin e Gazës do të ketë “pasoja shkatërruese” për fëmijët dhe familjet që luftojnë për të mbijetuar, transmeton Anadolu.

Drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, në një deklaratë me shkrim tha se “kufizimet e ndihmave të njoftuara dje do të kompromentojnë rëndë operacionet e shpëtimit të jetës për civilët”.

Duke e përshkruar armëpushimin e Gazës si një “litar jetësor kritik për fëmijët”, Beigbeder theksoi se marrëveshja lejon rrjedhjen e shpejtë të ndihmës në shkallën e reagimit humanitar në terren. Ai theksoi se kushtet mbeten të rënda.

“Shtatë foshnja të porsalindura thuhet se vdiqën nga hipotermia gjatë javës së kaluar, sepse nuk kishin qasje në rroba dhe batanije mjaft të ngrohta, strehim ose kujdes mjekësor”, tha ai.

Me 19 nga 35 spitale që funksionojnë vetëm pjesërisht, UNICEF theksoi se sistemi shëndetësor i Gazës është “tendosur shumë përtej kufijve të tij”.

UNICEF-i njoftoi se ka ofruar veshje të ngrohta për 150 mijë fëmijë, ka zgjeruar kujdesin mjekësor për 25 mijë njerëz dhe ka rritur shpërndarjen e ujit për pothuajse 500 mijë njerëz çdo ditë.

“Derisa armëpushimi na ka lejuar të zgjerojmë ndjeshëm ndihmat për shpëtimin e jetës, niveli i shkatërrimit në Gaza është përtej katastrofës”, tha Beigbeder, duke shtuar se “armëpushimi duhet të vazhdojë dhe duhet të lejohet më shumë ndihmë për të parandaluar vuajtjet e mëtejshme dhe humbjet e jetëve”.

MARKETING