Kremlini: Ka nisur ndarja e Perëndimit, kanë filluar nuancat e ndryshme

Kremlini: Ka nisur ndarja e Perëndimit, kanë filluar nuancat e ndryshme

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi në një konferencë për shtyp këtë të hënë, se “operacioni ushtarak në Ukrainë do të vazhdojë deri në realizimin e të gjitha objektivave të përcaktuara nga Moska”.
Në lidhje me një marrëveshje të mundshme paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, Peskov u shpreh se aktualisht nuk ka një plan të koordinuar për të vijuar në këtë drejtim.

Zëdhënësi i Kremlinit u ndal dhe të përplasja e Trump me Zelenskyn. Ai tha se tashmë ka filluar ndarja e Perëndimit në lidhje me pozicionin e mëparshëm për mbështetjen e Ukrainës.

“Po shohim që Perëndimi kolektiv ka filluar të bëhet më pak kolektiv. Ka nisur një fragmentim i tij dhe qëndrimet e vendeve dhe grupeve të ndryshme po bëhen më të nuancuara,” tha Peskov.

Duke iu referuar takimit të djeshëm të liderëve perëndimorë në samitin për Ukrainën në Londër, Peskov theksoi se vendet evropianë vijojnë të mbështesin luftëën, duke vijuar të mbështesin Ukrainën përmes ndihmave ushtarake dhe mbështetjes financiare për operacionet e saj.

Kujtojmë se vizita e Zelenskyt në Uashington, të premten, u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të arritur një marrëveshje për mineralet, e cila do t’u mundësonte Shteteve të Bashkuara qasje të gjerë në burimet natyrore të Ukrainës. Megjithatë, bisedimet mes dy liderëve u tensionuan, kur Zelensky i kërkoi Trump-it të tregonte kujdes në qëndrimin e tij ndaj Rusisë, ndërsa Trump e paralajmëroi atë me tërheqjen e mbështetjes amerikane.

Presidenti Zelenskiy u largua nga Shtëpia e Bardhë pas debatit të nxehtë, ku Presidenti Trump e akuzoi presidentin ukrainas për mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa ky i fundit sfidoi udhëheqësin amerikan për zbutje të qëndrimit ndaj Presidentit rus Putin.

Pas takimit, në një postim në median sociale, Presidenti Trump shkruajti se “kam arritur në përfundimin që Presidenti Zelenskyy nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh më të madh në negociata. Unë nuk dua avantazhe, dua paqe. Ai ofendoi Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Ai mund të vijë përsëri kur të jetë gati për paqe”, shkruante Presidenti Trump.

Në kulmin e debatit, Trump iu drejtua Zelenskyt me ton të ashpër, duke i thënë: “Duhet të jesh më mirënjohës”, dhe e akuzoi atë se “po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”.

Nga ana tjetër Zelensky kërkoi garanci sigurie nga SHBA në mënyrë që të nënshkruante marrëveshjen e mineraleve. Përplasja bëri që marrëveshja të dështonte dhe të mos firmosej.

MARKETING