Nuk ia lejuan Thaçit vizitën te babai i sëmurë, Specialja: Nuk është në rrezik për jetën

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit i është refuzuar edhe kërkesa e dytë për vizitë humanitare në Kosovë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Angela Griep, ka thënë se ky vendim është marrë pasi babai i Thaçit është liruar nga spitali dhe nuk ka ndonjë rrezik për jetën.
“Z. Thaçi më 14 shkurt 2025 ka paraqitur kërkesë për lirim të përkohshëm për arsye humanitare. Duke balancuar të gjithë faktorët relevantë, duke përfshirë fazën e procedurës, akuzat me të cilat përballet z. Thaçi si dhe faktin se babai i z. Thaçi është liruar nga spitali dhe nuk ka asgjë që tregon se gjendja e tij shëndetësore është, në këtë moment, një krizë akute ose rrezik për jetën, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se, në rrethanat aktuale, z. Thaçi nuk ka treguar arsye për lirimin e tij të përkohshëm”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Thaçi kishte kërkuar përmes mbrojtjes së tij lirimin e tij të përkohshëm në Kosovë për një ditë në mënyrë që të iu mundësohet ta vizitojë babain e tij.