Vota në Kombet e Bashkuara: A do të kalojë rezoluta amerikane apo evropiane për Ukrainën?

SHBA-ja dëshiron që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të votojë të hënën një draft të shkurtër rezolute që shënon përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës, para se Asambleja e Përgjithshme, me 193 anëtarë, të votojë për të njëjtin tekst, thanë diplomatët.
SHBA kundër Ukrainës dhe BE-së në OKB
Hapi i ndërmarrë nga SHBA-ja në OKB është në kundërshtim me Ukrainën dhe Bashkimin Evropian, të cilët muajin e kaluar negociuan me shtetet anëtare të OKB-së për tekstin e tyre mbi luftën, për të cilin Asambleja e Përgjithshme duhet të votojë të hënën. Reuters raportoi të enjten se SHBA-të refuzuan të ishin bashkë-sponsor të draftit të përgatitur nga Ukraina dhe BE.
Uashingtoni propozon tekstin e tij
Të premten, Uashingtoni propozoi një rezolutë për votim në Asamblenë e Përgjithshme, gjithashtu të hënën. Po atë ditë, SHBA dorëzuan të njëjtin draft rezolute edhe në Këshillin e Sigurimit. Votimi në Këshillin e Sigurimit për draftin amerikan ende nuk është caktuar, thanë diplomatët.
Kushtet për miratimin e rezolutës
Për t’u miratuar, rezoluta e Këshillit të Sigurimit ka nevojë për të paktën nëntë vota për dhe nuk duhet të ketë veto nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania ose Franca.
Përmbajtja e draftit të rezolutës amerikane
Drafti i shkurtër i rezolutës amerikane, i cili përmban tre paragrafë dhe për të cilin Reuters kishte mundësi të shihte, shpreh keqardhje për jetët e humbura në “konfliktin rus-ukrainas” dhe përsërit se “qëllimi kryesor i Kombeve të Bashkuara është të ruajë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe të zgjidhë kontestet në mënyrë paqësore”.
Gjithashtu, drafti “apelon për një fund të shpejtë të konfliktit dhe bën thirrje për një paqe të qëndrueshme mes Ukrainës dhe Rusisë”.
Rusia kërkon ndryshim në tekst
Rusia ka propozuar një ndryshim në këtë frazë, duke shtuar se konflikti duhet të mbyllet “duke u marrë me shkaktarët themelorë”.
Ukraina dhe BE kërkojnë një rezolutë më të fortë
Teksti i propozuar nga Ukraina dhe Bashkimi Evropian bën thirrje për deeskalim, një ndalim sa më të shpejtë të konfliktit dhe zgjidhjen e tij paqësore në përputhje me Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar. /Telegrafi/