Trump: Ndaj BRICS-it do të zbatohet tarifë në rast se do ndërmerret hap për zëvendësimin e dollarit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump përsëriti deklaratën e tij se ndaj vendeve të BRICS-it do të zbatohen tarifa “100 për qind” nëse këto ndërmarrin një hap për të zëvendësuar dollarin duke krijuar monedhën e BRICS-it, transmeton Anadolu.
Trump ndau një postim mbi këtë temë në llogarinë e tij në rrjetet sociale “Truth Social”.
Ai tha se vendeve anëtare të BRICS-it do t’u kërkojë të mos krijojnë monedhë të re BRICS ose të mos mbështesin monedhë tjetër që mund të zëvendësojë dollarin amerikan. Trump theksoi se “në të kundërtën do të vendosen tarifa 100 për qind ndaj këtyre vendeve” dhe se këto vende nuk do të mund të eksportojnë në SHBA.
Trump mbrojti idenë se vendet e BRICS-it “po përpiqen të largohen nga dollari” dhe se “SHBA-ja nuk do të qëndrojnë spektator ndaj kësaj”. Ai dhe shtoi se këto vende mund të gjejnë një tjetër “komb naiv” për veten e tyre.
Duke argumentuar se BRICS nuk ka asnjë shans të zëvendësojë dollarin amerikan në tregtinë ndërkombëtare apo diku tjetër, Trump tha se “çdo vend që përpiqet ta bëjë këtë duhet t’i përshëndesë tarifat dhe lamtumirë SHBA-së”.
– BRICS ka një vend të rëndësishëm në ekonominë botërore
Shkurtesa “BRICS” e cila fillimisht nuk përfshinte Afrikën e Jugut, u përdor në vitin 2001 nga ekonomisti britanik Jim O’Neill në një artikull që nënvizonte potencialin e rritjes së Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës.
Unioni u themelua në vitin 2009 me iniciativat e Rusisë si një platformë jozyrtare për të balancuar dominimin global të SHBA-së dhe vendeve perëndimore. Me ftesën e Afrikës së Jugut një vit më vonë, unioni mori emrin e saj aktual, BRICS.
BRICS i cili përfshin themeluesit Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, u zgjerua me anëtarësimin e Egjiptit, Etiopisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Numri i përgjithshëm i anëtarëve të BRICS-it është rritur në 10 me shtimin e vendeve të reja në vitin 2024 dhe Indonezisë këtë vit dhe ai gjithashtu zë një vend të rëndësishëm në ekonominë botërore.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme ruse në dhjetor 2024 u njoftua se BRICS-it që nga viti 2025 do t’i bashkohen me statusin e “shtetit partner” edhe Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Kazakistani, Malajzia, Tajlanda, Uganda dhe Uzbekistani.