66 të burgosur palestinezë të liruar mbërrijnë në Ramallah në kuadër të marrëveshjes së Gazës
66 të burgosur palestinezë të liruar nga Izraeli kanë mbërritur në Ramallah në kuadër të grupit të tretë të shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit, që u përfshi në marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Korrespondenti i Anadolu-t tha se dy autobusë të drejtuar nga Kryqi i Kuq i transportuan të burgosurit nga burgu ushtarak izraelit Ofer pranë Ramallahut në një vend pritjeje në qendër të qytetit.
Para lirimit, ushtria izraelite bastisi qytetin Beitunia, duke vendosur automjete ushtarake dhe buldozerë. Ushtarët përdorën plumba të vërtetë, plumba gome, si dhe gaz lotsjellës ndaj palestinezëve që prisnin mbërritjen e tyre.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze rapotoi 14 të plagosur, duke përfshirë tre të plagosur nga municionet reale.
Shumë nga të burgosurit e liruar u shfaqën me shëndet të dobët, si rezultat i asaj që organizatat palestineze kanë raportuar si keqtrajtim sistematik, torturë dhe uri brenda burgjeve izraelite.
Shkëmbimi i fundit përfshiu 110 të burgosur palestinezë, duke përfshirë 32 të burgosur që vuanin dënime të përjetshme, 30 të mitur dhe 48 me dënime të ndryshme.
Më herët, fraksionet palestineze në Gaza në këmbim liruan tre pengje izraelite, respektivisht pengjet Agam Berger, Arbel Yehud dhe Gadi Mozes.
Shkëmbimi i dytë u realizua të shtunën, duke përfshirë katër ushtare pengje izraelite nga Gaza, ndërsa Izraeli nga burgjet e tij liroi një shtetas jordanez dhe 199 palestinezë.
Shkëmbimi i parë ndodhi më 19 janar, ditën e parë të marrëveshjes së armëpushimit, kur tre pengje civile izraelite u liruan në këmbim të 90 të burgosurve palestinezë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, të gjithë nga Bregu Perëndimor i pushtuar, përfshirë nga Kudsi.
Pjesa e parë e marrëveshjes, e cila është e ndarë në tre faza që parashikohet të zgjasin nga 42 ditë secila, kërkon lirimin gradual të 33 izraelitëve, të burgosurve të gjallë dhe trupave të të vdekurve, në këmbim të 1.700 deri 2.000 të burgosurve palestinezë dhe arabë.