Senati konfirmon mikun e shqiptarëve John Ratcliffe si drejtor të CIA-s

Senati konfirmon mikun e shqiptarëve John Ratcliffe si drejtor të CIA-s

Senati konfirmoi John Ratcliffe si drejtor të CIA-s të enjten, ndërsa republikanët po punojnë për miratimin e zyrtarëve në postet kryesore në administratën e presidentit Donald Trump mes vonesave nga demokratët.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Senati konfirmoi Ratcliffe me 74 vota pro dhe 25 kundër, duke e bërë atë të dytin nga kandidatët e Trump që miratohet nga dhoma e sipërme.

Ratcliffe, një ish kongresmen i Teksasit, shërbeu si drejtor i Inteligjencës Kombëtare në muajt e fundit të mandatit të parë të zotit Trump.

Në atë kohë, Trump fillimisht zgjodhi Ratcliffe për të udhëhequr agjencitë e spiunazhit të vendit më herët në mandatin e tij të parë, por e tërhoqi emrin e tij mes pyetjeve në lidhje me kualifikimet e tij për këtë rol.

Muaj më vonë, zoti Trump emëroi sërish Ratcliffe dhe Senati e konfirmoi atë si drejtor të inteligjencës kombëtare pa asnjë mbështetje nga demokratët.

Ndryshe, Ratcliffe njihet për lidhje të forta me komunitetin shqiptar në SHBA.

Ai gjatë vitit 2016, Ratcliffe kishte qenë i pranishëm, madje ka mbajtur edhe fjalë rasti si i ftuar i veçantë në “Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në New York, forum ky i organizuar nga rrjeti shqiptaro-amerikan.

Ai po ashtu është parë në disa fotografi tjera me Pandeli Majkon, ish ministër i Shqipërisë për Diasporën dhe me Fatmir Mediun, ish-ministër i Mbrojtjes në Shqipëri.

Ratcliffe ka pasur edhe takime me zyrtarë nga Kosova.

Kongresisti Ratcliffe është mik i afërt me biznesmenë shqiptarë në Amerikë. Kjo dëshmohet nga fotografitë e postuara në rrjete sociale nga këta biznesmenë.

Në mandatin e parë të presidentit Trump, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte përshëndetur përzgjedhjen e John Ratcliffe në krye të Inteligjencës Amerikane.

“Kosova është me fat që ka në krah ShBA-në dhe në rrafshin e sigurisë përket në botën të cilës i prinë Amerika. Partneritetin tashmë të ndërtuar në fushën e sigurisë jemi të vendosur ta forcojmë. Ratcliffe është shumë mirë i informuar për Kosovën dhe njohës i zhvillimeve në rajonin tone”, kishte shkruar Haradinaj në atë kohë. /Telegrafi/

 

MARKETING