Jeta mes rrënojave, palestinezët në Gaza përballen me kushte sfiduese
Teksa në ditët në vijim pritet të fillojë zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit në qytetin e Gaza, banorët përpiqen të vazhdojnë rutinën e tyre në kushte sfiduese, raporton Anadolu.
Kjo aspak nuk është e thjeshtë për të gjithë banorët e Rripit të Gazës, që ka qenë nën sulme shkatërruese për 15 muaj si pjesë e luftës gjenocidale të Izraelit.
Po aq të vështirë e kanë edhe palestinezët në Kampin e Refugjatëve Bureij, përplot me ndërtesa të shkatërruara, në të cilin qëndroi fotoreporteri i AA-së. Përkundër kësaj, banorët aty përpiqen të vazhdojnë rutinat ditore, ndërsa mund të vërehen edhe fëmijë të buzëqeshur teksa lozin nëpër rrënojat e shkaktuara nga bombardimet. Madje, mund të vërehen edhe disa fëmijë me flamur palestinez teksa qëndrojnë mbi rrënoja.
Të mërkurën, kryeministri i Katarit dhe Ministri i Punëve të Jashtme Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani njoftoi arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës, duke vënë në dukje se zbatimi i saj do të fillojë këtë të diel.
Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit që përbëhet nga 3 faza, do të lirohen 33 pengje izraelite.
Marrëveshja krahas mbërritjes së ndihmës humanitare për Rripin e Gazës në mënyrë gjithëpërfshirëse, përfshin edhe rikthimin në territoret e tyre për palestinezët e zhvendosur.
Detajet e fazës së dytë dhe të tretë do të shpallen sapo të përfundojë faza e parë.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 46.788 palestinezë, përfshirë rreth 17.841 fëmijë dhe 12.298 gra, ndërsa janë plagosur 110.453 persona të tjerë.