Arrihet marrëveshja, qeveria izraelite miraton armëpushimin në Gaza

Arrihet marrëveshja, qeveria izraelite miraton armëpushimin në Gaza

Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi marrëveshjen për armëpushim në Gaza dhe për shkëmbimin e të burgosurve, për të cilën u dakorduan me grupin palestinez Hamas, transmeton Anadolu.

Në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit izraelit, thuhet se marrëveshja është miratuar nga Kabineti i Sigurisë pasi është dëshmuar se mbështet qëllimet e luftës në aspektin politik, të sigurisë dhe humanitar, dhe se marrëveshja i është dorëzuar qeverisë për miratim.

Qeveria pritet që sot të mblidhet për të trajtuar armëpushimin e arritur me Hamasin.

– Netanyahu: “Morëm garanci nga SHBA-ja”

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në mbledhjen e Kabinetit të Sigurisë, tha se kanë marrë garanci nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump dhe presidenti në largim Joe Biden.

Sipas gazetës “Yedioth Ahronoth”, Netanyahu në fjalimin në mbledhjen e kabinetit ka theksuar se ka marrë garanci nga SHBA-ja se sulmet ndaj Gazës do të vazhdojnë në rast se negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit do të dështonin.

“Kemi marrë garanci të forta nga të dy presidentët – Biden dhe Trump – se nëse negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes dështojnë dhe Hamasi nuk pranon kërkesat tona të sigurisë, ne do t’i kthehemi luftimeve të ashpra me mbështetjen e SHBA-së”, ka thënë Netanyahu.

MARKETING