Presidenti i Burkina Fasos: Macron ofendoi gjithë afrikanët
Presidenti i Burkina Fasos, Ibrahim Traore, ka deklaruar se deklaratat e presidentit francez, Emmanuel Macron, për liderët afrikanë janë “ofenduese”, transmeton Anadolu.
Në fjalimin e tij me rastin e Vitit të Ri, presidenti Traore iu përgjigj deklaratës së presidentit francez se “liderët afrikanë harruan të falënderojnë Francën”.
“(Macron) i ka poshtëruar të gjithë afrikanët. Kështu e sheh ky zotëri Afrikën dhe afrikanët. Ne nuk jemi qenie njerëzore në sytë e tij,” tha Traore.
Lidhur me referencën e Macronit për liderët afrikanë si “mosmirënjohës”, Traore tha: “Nëse duam të distancohemi nga këto fuqi koloniale, duhet të ndërpresim marrëveshjet. Nëse dikush është mosmirënjohës, është vetë ai. Franca ekziston sot falë paraardhësve tanë. Ata duhet të luten për ne”.
– Macron akuzon liderët afrikanë
Presidenti francez Macron bëri disa deklarata në lidhje me tërheqjen e ushtarëve francezë nga Afrika gjatë një sesioni të Konferencës së Ambasadorëve të mbajtur në Paris më 6 janar.
Duke u shprehur se Franca nuk po “tërhiqej” nga Afrika, por përkundrazi do të vazhdojë rrugën e saj me një rend të ri, Macron tha se ata zgjodhën të transferoheshin në Afrikë në dritën e lidhjeve të tyre historike dhe se ata vendosën t’i lënë disa prej tyre si rezultat i grusht shteteve në rajon.
Macron theksoi se ata kanë punuar shumë për të luftuar terrorizmin në Afrikë që nga viti 2013, duke shtuar se, “Megjithatë, udhëheqësit afrikanë kanë harruar të na falënderojnë për këtë. Nëse ushtria franceze nuk do të ishte vendosur në këtë rajon, asnjëri prej tyre nuk do të ishte shtet sovran”.
Duke theksuar se Franca u largua nga disa vende afrikane për shkak të grusht shteteve dhe vendosi të riorganizojë praninë e saj ushtarake në disa vende, Macron tha: “Ne u ofruam liderëve afrikanë të riorganizonim praninë tonë. Ne i lejuam ata ta bënin këtë deklaratë nga mirësjellja, por kjo mirësjellje e jonë u bë shkak e deklaratave si ‘janë dëbuar nga Afrika'”.
– Përgjigje e fortë nga Senegali dhe Çadi
Kryeministri senegalez, Ousmane Sonko, në një deklaratë me shkrim që bëri në përgjigje ndaj presidentit Macron nga llogaria e tij në X, theksoi se vendimi për mbylljen e bazës franceze në Senegal është marrë nga ata.
“Për Senegalin, ky pretendim është krejtësisht i rremë. Deri më sot nuk janë bërë negociata për këtë çështje dhe Senegali ka ushtruar vullnetin e tij si vend i lirë, i pavarur dhe sovran me vendimin që ka marrë”, tha Sonko.
Rreth fjalëve të Macronit se “nëse Franca nuk do të kishte trupa, asnjë vend afrikan nuk do të ishte i pavarur sot”, Sonko tha se Franca nuk ka legjitimitetin dhe fuqinë për të garantuar sigurinë dhe sovranitetin në Afrikë.
Gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme i Çadit dhe zëdhënësi i qeverisë, Abderaman Kulamallah, tha se “udhëheqësit francezë duhet të mësojnë të respektojnë popujt afrikanë”.
Duke kujtuar se Çadi në veçanti luajti një rol kritik në çlirimin e Francës, Kulamallah tha se, “Sakrificat e bëra nga popujt afrikanë në Francë në Luftën e Dytë Botërore nuk u vlerësuan kurrë siç duhet”.