Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin në Ibër-Lepenc
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill duke folur për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc ka thënë se mendon se ka dëshirë nga të gjitha anët që të zbulohet e vërteta se kush e ka bërë atë.
Sipas tij, nuk ka prova që Beogradi e ka bërë këtë, teksa ka shtuar se duhet të bëhet një hetim i plotë rreth kësaj.
“Ne sigurisht nuk shohim prova që do të çonin në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë dhe mendoj se është mirë që ne i ofrojmë mbështetje atij hetimi përmes FBI-së, dhe mendoj se kjo është e rëndësishme. Por flasim për faktin se ka mungesë besimi dhe tendencë për të fajësuar njëri-tjetrin”, tha Hill.
Ndërkohë, i pyetur për Asociacionin, ai theksoi se kjo është absolutisht vendimtare dhe se duhet të nisë themelimi i tij.
“Ne e kemi mbështetur që kur është rënë dakord për herë të parë rreth 12 vite më parë dhe duhet të zbatohet. Edhe pse njerëzit e kanë dëgjuar një mijë herë dhe janë të frustruar nga fakti që nuk është zbatuar, kjo nuk do të thotë se nuk duhet folur për të. Mendoj se duhet të jemi shumë të përqendruar në fillimin e kësaj”, tha Hill.