Gazeta polake: Nga frika e arrestimit, Netanyahu nuk do të marrë pjesë në përvjetorin e çlirimit të Aushvicit në Poloni
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka të ngjarë të mos udhëtojë në Poloni për të marrë pjesë në ngjarjen e muajit të ardhshëm që shënon 80-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit Aushvic, nga frika e arrestimit sipas një urdhri arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), raportoi gazeta polake “Rzeczpospolita”, transmeton Anadolu.
Më 21 nëntor, GJNP-ja lëshoi urdhër arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Sipas lajmit të gazetës, autoritetet izraelite madje nuk kanë kërkuar pjesëmarrjen e kryeministrit në ceremoni, ndërkohë që zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Wladysław Bartoszewski, ka përsëritur angazhimin e vendit për të respektuar vendimet e GJNP-së.
Në ngjarje, në të cilën do të marrin pjesë krerë të shumtë shtetesh, Izraeli ka gjasë të përfaqësohet nga ministri i jashtëm Gideon Saar, tha gazeta.
Përkujtimi kryesor është planifikuar të mbahet më 27 janar 2025, në kampin i cili u krijua nga Gjermania naziste në Poloninë e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kampi u çlirua nga forcat sovjetike në të njëjtën datë në vitin 1945, e cila që atëherë është shënuar si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit.
Aushvici, tani një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, u shndërrua në Muzeun Shtetëror Aushvic-Birkenau në vitin 1947, duke shërbyer si një kujtesë e Holokaustit.
Izraeli ka vrarë më shumë se 45.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, në Gaza që nga një sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij kundër Gazës.