Kosova nënshkruan marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi”
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, e cila do të prodhojë kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar midis palëve të hënën, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim.
Pas funksionalizimit, fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100 për qind vendore e Republikës së Kosovës.
“Ne kemi bërë ushtrime bashkë me ushtrinë e Türkiyes, kemi blerë pajisje, municione dhe armatime që prodhon Türkiye, e tash është koha që edhe të prodhojmë bashkë në vendin tonë”, tha kryeministri Albin Kurti në takimin me delegacionin nga MKE që u zhvillua pak para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.
Më 27 nëntor, Qeveria e Kosovës bëri hapin e parë drejt ngritjes së industrisë së saj ushtarake. Kurti tha se vendimin të cilin e mori para mbledhjes së qeverisë përbën një hap të domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë.
Fabrika, siç njoftoi kryeministri Kurti, do të merret me prodhimin e municionit dhe do të ketë edhe laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Kosovë.