‘Shteti Bektashi’ i Edi Ramës nuk gjen mbështetje në Shqipëri

‘Shteti Bektashi’ i Edi Ramës nuk gjen mbështetje në Shqipëri

Në botë ka vetëm tre shtete që klasifikohen zyrtarisht si teokratike, përfshirë Iranin, Vatikanin dhe Republikën Islamike të Afganistanit, e drejtuar nga Talebanët.

Nëpërmjet një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si pjesë e Samitit për të Ardhmen më 22 shtator, kryeministri  propozoi krijimin e një shteti të katërt me seli në Tiranë për Urdhrin Botëror Bektashi.

Pasi përshkroi një botë në kaos, me kriza të mbivendosura nga Lindja në Perëndim dhe Veriu në Jug, duke cituar Nënë Terezën, kryeministri shqiptar deklaroi me pompozitet se ajo na ka kujtuar se “jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën përpiqemi të veprojmë, dhe ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re e moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës së paqtë,” tha ai.

Kryegjyshi bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e përkrahu idenë e artikuluar më parë në një artikull në gazetën amerikane ‘New York Times’, por propozimi ndryshe ka marrë një pritje të ftohtë në Tiranë nga komunitetet e tjera fetare dhe pjesa laike e shoqërisë.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN përmes një ankete online tregojnë se shumica e shqiptarëve e kundërshtojnë propozimin e Ramës, duke e cilësuar atë si anti-kushtetues dhe përçarës, dhe të pa konsultuar me publikun në Shqipëri.

“Është i pa konsultuar publikisht dhe lë një shije të hidhur edhe për imazhin e Shqipërisë në botë,” tha Hekuran Budani, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare, i specializuar në çështje të sigurisë ndërkombëtare. “Vetë komuniteti Bektashi nuk është konsultuar dhe duket qartë përdorimi politik që i bëhet,” shtoi ai.

Propozimi i kryeministrit u përball me kritika në media nga analistë dhe ekspertë të politikës që e cilësuan atë si ide “narciste” dhe kritikuan Ramën për shpërfillje të opinionit publik, duke theksuar se ai cenon demokracinë.

 gjithashtu e kundërshtoi projektin në një deklaratë për mediat duke e cilësuar atë të rrezikshëm.

“Nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit,” shkruhet në deklaratën e KMSH-së.

Bektashinjtë kundër ‘shtetit sovran’

 është një tarikat i Islamit, që e vendosi qendrën e vet në Shqipëri në vitet mes dy Luftërave Botërore. Ndër shqiptarë, ata kanë pasur gjithmonë një prezencë të rëndësishme, duke u konsideruar si feja e katërt për nga madhësia dhe pjesë e rëndësishme e shtetformimit dhe Rilindjes Kombëtare. Sipas censusit të fundit, në Shqipëri vetëdeklarohen si bektashinj rreth 115 mijë persona, ose 4.8 për qind e popullsisë.

Nëpërmjet një ankete online në faqen e Reporter.al, BIRN mblodhi opinionet e 609 qytetarëve nga besime të ndryshme rreth propozimit të kryeministrit Edi Rama. Shumica e pjesëmarrësve në anketë ishin meshkuj (77%) me banim në Tiranë, kryesisht mes moshës 25 dhe 45 vjeç.

Anketa nuk synon të jetë përfaqësuese e opinionit publik në Shqipëri, por në mungesë të sondazheve publike mbi këtë propozim, ajo kërkon të japë një fotografi të mendimeve të qytetarëve të ndryshëm rreth propozimit të kryeministrit Edi Rama.

Sa i përket përkatësisë fetare, 44 për qind e të anketuarve deklaruan se ishin myslimanë, 15 për qind u identifikuan si bektashinj, 11 për qind e pjesëmarrësve u deklaruan ortodoksë, 7 për qind katolikë, dhe 17 për qind deklaruan se ishin ateistë.

Propozimi i kryeministrit Edi Rama për të themeluar një shtet Bektashi është kundërshtuar nga 89% e qytetarëve që plotësuan anketën. Kundër propozimit ishin edhe 71 për qind e vetë bektashinjve që morën pjesë në anketë.

“Bektashinjtë janë udhëhequr nga motoja ‘Pa atdhe nuk ka fe,’ kanë luftuar dhe ndihmuar për themelimin e shtetit shqiptar,” shkroi njëri prej tyre.

“Në këto kushte, mendoj se ky komunitet duhet të vazhdojë të jetë pjesë e këtij shteti në të cilin ka besuar që në kohën kur Shqipëria si shtet ishte vetëm në dëshirat dhe ëndrrat e kombit tonë,” shtoi ai.

Shumica dërrmuese e të anketuarve (69%) e cilësojnë propozimin e kryeministrit si anti-kushtetues dhe një shkelje ligjore që nuk përfill normat bazë të vendit.

“Nuk ka asnjë bazë historike, as politike, as shoqërore për një propozim të tillë, një ide që vjen papritur pa u mbështetur diku,” i tha BIRN përkthyesja Loela Xhafa.

Cënon harmoninë fetare

Pjesa më e madhe e të anketuarve e cilëson propozimin si joserioz, duke e përshkruar me epitete si “idiotësi,” “proçkë,” apo “delirim” të kreut të ekzekutivit. Megjithatë, ata shprehen të shqetësuar se ky propozim cënon ekuilibrat fetarë në vend dhe minon harmoninë, me të cilën kryeministri u krenua përpara vendeve anëtare në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Florjan Myftaraj, inxhinier informatikës dhe investitor në sektorin e turizmit nga qyteti i Beratit, i tha BIRN në një bisedë telefonike se kjo ide, të cilën e quan “qesharake dhe absurde,” ndryshe nga pretendimi i kryeministrit, cënon harmoninë fetare dhe e vë atë në rrezik.

Myftaraj rrjedh nga një familje bektashije, fëmijët i janë pagëzuar katolikë dhe e motra është e martuar me një predikues (imam) mysliman.

“Unë shkoj edhe në Malin e Tomorrit edhe në Kishën e Laçit,” tha ai. “Gjëra kaq të rënda nuk kalojnë në këtë tokën këtu e 2 mijë vjet,” shtoi Myftaraj, duke pasur parasysh përfshirjen e politikës në çështje fetare.

Njëlloj si Myftaraj mendon edhe pedagogu Hekuran Budani.

“Jo vetëm nuk sjell atë që pretendon kryeministri (tolerancën), por nxit përçarje fetare, gjë që deri tani nuk e shohim të ekzistojë,” tha ai, ndërsa shtoi se rrezikohej krijimi i një precedenti që do të sillte tensione të panevojshme.

Madje, sipas tij, edhe vetëm propozimi i projektit dhe mënyra si u bë, kanë shkaktuar tashmë dëme dhe kanë nxitur një debat që përndryshe nuk do të ekzistonte.

Edhe Loela Xhafa theksoi se, nëse propozimi shtyhet përpara, rrezikon të prishë balancat shoqërore dhe fetare në vend, dhe se vetë komuniteti fetar Bektashi do të vuajë më shumë prej tij.

“Nuk ka asnjë përfitim, asnjë të mirë,” theksoi ajo.

Megjithatë, jo të gjithë pjesëmarrësit në anketë e kundërshtojnë propozimin e kryeministrit Edi Rama.

Gentian Lile, jurist nga Gjirokastra, i tha BIRN se themelimi i një shteti sovran Bektashi do të sillte një vëmendje të shtuar nga komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë.

“Nuk na përfillnin dikur, por tani na njohin. Pse të mos jetë edhe ky një plus?” tha ai, duke iu referuar përmirësimit të imazhit të vendit gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, krijimi i shtetit të Bektashinjve do të çojë në një nivel më të lartë tolerancën fetare në vend. Lile shtoi se, sipas mendimit të tij, të pakënaqur nga një propozim i tillë mund të jenë vetëm disa vende islamike.

“Meqenëse ka statusin ‘Kryegjyshatë Botërore’, le të kalojë edhe në një stad tjetër më të lartë nga ana juridike, ndërkombëtarisht,” theksoi ai.

Mungesa e demokracisë 

Një pjesë e madhe e të anketuarve ndjejnë se kryeministri e ka shpërfillur opinionin publik në Shqipëri, duke ndarë propozimin me OKB-në dhe mediat e huaja pa u konsultuar publikun shqiptar.

“Qeveria shqiptare, sidomos naltmadhia e tij, i bën gjërat pa asnjë dokumentim dhe kjo është krejtësisht e gabuar,” tha Entela Koja, me profesion urbaniste në kryeqytet, e cila e sheh propozimin si një shenjë të mungesës së demokracisë në Shqipëri.

“Kjo bërja e faktit të kryer tregon se nuk jemi më në një vend normal; jemi në diktaturë, ku urdhri vinte nga Hitleri, Duçja apo Enveri dhe njerëzit detyroheshin ta zbatonin, përndryshe i pritej koka,” theksoi ajo.

Koja nënvizoi se kjo lloj vendimmarrjeje “kokëposhtë,” ku në fillim merret vendimi dhe pastaj bëhet puna për ta realizuar, është bërë traditë nga qeveria dhe përmendi si shembuj vendimin për kampet italiane të refugjatëve në Shëngjin apo ndryshimin e destinacionit të Portit të Durrësit.

“Një precedent jashtëzakonisht i keq, dhe në vendet ku dëshirojmë të anëtarësohemi, të tilla veprime pa konsultime rrezikojnë të shkaktojnë gabime të mëdha,” tha Koja, duke shtuar se ata që po e vuajnë më shumë nga kjo sjellje e kryeministrit janë vetë Bektashinjtë.

“Po u vihet këmbë, u përdoret emri, por nuk pyeten dhe janë të parët që po shkelën me këmbë,” shtoi ajo.

Edhe Florjan Myftaraj e sheh propozimin si një shenjë të mungesës së demokracisë përfaqësuese.

“Shqipëria nuk është pronë e një kryeministri, e një lideri apo e një tjetri,” theksoi ai.

MARKETING