Borrell dën’on vendimin e Rusisë për të rishikuar doktrinën bërth’amore

Borrell dën’on vendimin e Rusisë për të rishikuar doktrinën bërth’amore

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi vendimin e Rusisë për të përditësuar doktrinën e saj bërthamore, transmeton Anadolu.

“Të flasim për parandalimin bërthamor, kjo është diçka që ne e refuzojmë fuqishëm. Ne dënojmë çdo referencë për përdorimin e armëve bërthamore”, tha Borrell, duke folur pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes të BE-së të mbajtur mbrëmë.

Ai tha se ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë qëllimisht u bënë në të njëjtën datë kur lufta në Ukrainë hyri në ditën e saj të 1000-të.

“Është e qartë se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është kërcënimi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin evropian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, shtoi ai.

Borrell, mandati pesëvjeçar i të cilit po i afrohet fundit, tha se “fati i ukrainasve do të përcaktojë fatin e Bashkimit Evropian”.

Ai theksoi rëndësinë e të qëndruarit të bashkuar dhe ofrimin e mbështetjes për Ukrainën.

“Rusia po merr mbështetje nga Kina, Koreja e Veriut, Irani dhe të tjerët. Ky është një përshkallëzim në kontrast të thellë pa asnjë qëllim për të kërkuar paqen”, tha ai.

Ai vuri në dukje se pa këtë mbështetje, Rusia nuk do të ishte në gjendje të vazhdonte luftën kundër Ukrainës në të njëjtën masë.

I pyetur për njoftimin se Rusia ka përditësuar doktrinën e saj bërthamore, duke reduktuar barrierat për përdorimin e armëve bërthamore në një konflikt, Borrell tha se nuk është hera e parë që Rusia kërcënon me përshkallëzim bërthamor.

“Çdo thirrje për luftë bërthamore është një papërgjegjshmëri. Duhet ta quajmë ashtu siç është. Nuk është hera e parë që (presidenti rus Vladimir) Putin ‘luan në kartën’ bërthamore. Ai gjithashtu krijoi kriza të sigurisë ushqimore dhe energjetike. Nuk është hera e parë që ai përdor gjithçka që mundet për të krijuar pasiguri, siç është sjellja e trupave të Koresë së Veriut në tokën evropiane. Por të bësh thirrje për armë bërthamore, të flasësh për parandalimin bërthamor, është diçka që ne e refuzojmë fuqishëm. Ne dënojmë çdo referencë për përdorimin e armëve bërthamore”, tha ai.

Më herët gjatë ditës së djeshme, Putin nënshkroi një dekret për miratimin e doktrinës së përditësuar bërthamore të Moskës, gati dy muaj pasi ai paralajmëroi këto ndryshime në fjalimin e tij në konferencën e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse mbi parandalimin bërthamor më 25 shtator.

Doktrina e re thotë se Rusia mund të konsiderojë përdorimin e armëve bërthamore nëse i nënshtrohet një sulmi raketor konvencional të mbështetur nga një fuqi bërthamore.

Ndryshimi vjen pasi presidenti amerikan Joe Biden lejoi Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të prodhimit amerikan për të goditur thellë në territorin e Rusisë.

MARKETING