Zelensky u kërkon aleatëve veprime ndaj Koresë së Veriut
Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të ndalojnë “së shikuari” dhe të ndërmarrin veprime për ta dënuar praninë e trupave të Koresë së Veriut në Rusi përpara se të shkojnë në fushëbetejë.
Zelensky, në një video të postuar në Telegram, ka thënë se Koreja e Veriut kishte bërë përparim në aftësitë ushtarake, vendosjen e raketave dhe prodhimin e armëve dhe “tani për fat të keq do të mësojnë luftën moderne”.
“Mijëra ushtarët e parë nga Koreja e Veriut janë afër kufirit ukrainas. Ukrainasit do të detyrohen të mbrohen kundër tyre”, tha ai. “Dhe bota do të shikojë përsëri”.
Zelensky u shpreh se Ukraina kishte identifikuar çdo vendndodhje ku ushtarët e Koresë së Veriut ishin vendosur në Rusi. Por aleatët perëndimorë të Kievit, shtoi ai, nuk i kanë furnizuar trupat ukrainase me armët me rreze të gjatë të nevojshme për t’i goditur ata, raporton Reuters.