Të paktën 205 të vd’ekur nga përm’bytjet shkatërruese në Spanjë

Të paktën 205 të vd’ekur nga përm’bytjet shkatërruese në Spanjë

Efektet shkatërruese të përmbytjeve të së martës po vazhdojnë në Valencia të Spanjës, ku katastrofa ka lënë të paktën 205 të vdekur, transmeton Anadolu.

Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës Margarita Robles tha se disa zona mbeten të paarritshme tri ditë pas stuhisë.

Mijëra njerëz janë ende pa energji elektrike, ujë të pijshëm apo ushqim. Shumë të tjerë janë bllokuar në shtëpitë e tyre, me makina apo mbeturina të grumbulluara para dyerve të tyre.

Robles njoftoi se 500 pjesëtarë shtesë të personelit ushtarak janë dërguar sot, me të tjerë që do të pasojnë të shtunën. “Ne do të vendosim në shërbim gjithë ushtrinë prej 120.000 anëtarësh nëse kjo është e nevojshme”, tha ajo në një intervistë për transmetuesin RTVE.

“Nuk ka të bëjë vetëm me numrin e njerëzve. Kjo nuk është e lehtë. Mbetet kaq shumë për të bërë – nga shpresa për të shpëtuar më shumë njerëz të gjallë, rikuperimi i trupave, hapja e rrugëve, furnizimi i qyteteve të izoluara dhe ofrimi i mbështetjes psikologjike, e cila është dëshpërimisht e nevojshme mes kaq shumë dhimbjesh”, tha ajo.

Një numër i panjohur njerëzish mbeten të zhdukur.

Kryetari i Bashkisë Sedavi, Jose Francisco Cabanes, bëri thirrje për ndihmë urgjente për qytetin e tij të izoluar prej 10.000 banorësh, duke paralajmëruar se nëse trupat nuk hiqen, sëmundje mund të shfaqen së shpejti.

“Ushtria po përdor dronë në zona që nuk mund t’i arrijmë”, tha Robles. “Magnituda e dëmit është e paprecedentë. Ka ende pirgje makinash, me njerëz, me familje që mund të jenë brenda. Tragjedia është e tmerrshme… ne po bëjmë gjithçka që mundemi”, shtoi ai.

Në atë që do të hyjë në histori si një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse të Spanjës, një stuhi intensive shkaktoi ​​shira të barasvlefshme me reshje të një viti në vetëm disa orë, duke bërë që lumenjtë të vërshojnë brigjet e tyre dhe të shkaktojnë përmbytje të rënda. Rrugët u kthyen shpejt në lumenj të fuqishëm.

Banorët u kapën në befasi, ndërsa shumë ishin ende duke vozitur ose lanë shtëpitë e tyre për t’i zhvendosur makinat në tokë më të lartë, të pavetëdijshëm për shkallën e përmbytjeve, kur u kapën nga fatkeqësia. Të tjerë në katet përdhese të ndërtesave nuk kishin kohë të kërkonin vende më të sigurta.

Në kohën kur qeveria e Valencias dërgoi alarm nëpërmjet telefonave, shumë nga dëmet ishin shkaktuar tashmë. Linjat e urgjencës ishin të mbingarkuara nga thirrjet dhe misionet e shpëtimit u bënë thuajse të pamundura të martën në mbrëmje për shkak të motit dhe shkallës së madhe të nevojës.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka premtuar se Spanja do të përdorë të gjitha masat e mundshme për të ndihmuar viktimat dhe për të rivendosur normalitetin në rajon.

Bashkimi Evropian ka premtuar gjithashtu mbështetje për përpjekjet e mëdha të nevojshme për të rindërtuar zonën e shkatërruar.

Rreth 80 kilometra autostrada dhe rrugë janë shkatërruar, tha ministri spanjoll i Transportit Oscar Puente për transmetuesin RNE sot. Ai shtoi se autostrada kryesore që lidh Valencian me Madridin mund të marrë të paktën dhjetë ditë për t’u rihapur.

Ndërkohë, linja e shpejtë që lidh Madridin dhe Valencian do të jetë jashtë shërbimit për rreth 15 ditë. Puente vuri në dukje se rreth 100.000 bileta për atë linjë u shitën vetëm për këtë fundjavë. Rrjeti lokal i trenave është në gjendje shumë më të keqe dhe do të duhen muaj për t’u riparuar.

“Situata është jashtëzakonisht e rëndë. Shumë zona janë të paarritshme nga çdo lloj automjeti”, tha ai, duke shtuar se prioriteti kryesor mbetet fokusimi tek personat e zhdukur dhe adresimi i tragjedisë njerëzore.

Stuhia përgjegjëse për tragjedinë mbetet aktive në Spanjë dhe ka shkaktuar përmbytje më pak të rënda në zona të mëdha të vendit që nga e marta.

Sot, agjencia meteorologjike e Spanjës AEMET vendosi zonën Huelva në Andaluzi në alarm të kuq për reshje të forta shiu. Pjesa më e madhe e bregdetit mesdhetar të Spanjës mbetet gjithashtu nën alarm portokalli ose të verdhë për shira të dendur.

MARKETING