Lajçak jep detaje për takimin në Bruksel: Kryenegociatorët dakordohen për hapat e ardhshëm në dialog
Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pritur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të diskutuar rreth implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Përmes një postimi në platformën X, Lajçak ka njoftuar se është dikutuar për Marrëveshjen e Ohrit dhe poashtu janë diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme që burojnë nga marrëveshjet e mëparshme.
“Prita sot në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.Folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ende nuk ka filluar së zbatuari në thelb. Diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh të rëndësishme që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara dhe ramë dakord për hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak në platformën X.
Për dallim nga organizimet e muajve të fundit, kësaj radhe u zhvillua një takim trepalësh, ndonëse sërish pa ndonjë përparim.
Kryenegociatori i Kosovës, Bislimi, i vlerësoi të dështuara takimet e sotme ndërsa akuzoi Serbinë se po këmbëngul në zbatimin e pjesshëm të marrëveshjes duke e vlerësuar këtë qëndrim si joserioz.
Në një komunikatë për media qeveria e Kosovës tha se kryenegociatori Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes në tërësi dhe pa vonesa, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.