SHBA: Është e papranueshme hapja e zjarrit ndaj palestinezëve që përpiqen të ikin nga Gaza
Lidhur me zjarrin që Izraeli ka hapur ndaj civilëve palestinezë që përpiqeshin t’u shpëtonin sulmeve në Gaza, Departamenti i Shtetit të SHBA-së tha se “Nëse është e vërtetë, kjo është e papranueshme”, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Departamentit, Matthew Miller, në konferencën ditore për media, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situatën humanitare në Gaza.
Ai tha se ka parë disa raporte që ushtarët izraelitë kanë hapur zjarr ndaj disa palestinezëve që janë përpjekur të ikin nga sulmet në Gaza, Miller tha: “Nuk mund të flas për detajet e këtyre raporteve, por sinqerisht, nëse është e vërtetë, kjo është e papranueshme”.
“Nëse ka një situatë ku civilët palestinezë të arratisur shënjestrohen nga forcat izraelite, kjo është e papranueshme. Ne presim që qeveria izraelite ta hetojë këtë dhe nëse konfirmohet, të mbajë përgjegjës ata që e bënë këtë”, tha Miller.
Pamjet që tregojnë se disa civilë u plagosën si pasojë e hapjes së zjarrit të ushtarëve izraelitë ndaj palestinezëve që po iknin nga sulmet në veri të Gazës gjatë evakuimit, janë publikuar dje në mediat ndërkombëtare.
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën humanitare në Gaza dhe veçanërisht në pjesën veriore të Gazës”, shtoi Miller.