Si humbet VMRO DPMNE në labirinthin e kulturës politike?
Shkruan Xhenis SULIMANI
Politika është kultura e njeriut në shoqëri. Vlerat, besimet, ideologjitë, por edhe njohuritë mbi politikën, e krijojnë një kulturë politike. Sistemet politike, format e qeverisjes, mënyrat se si zbatohen pushtetet nuk janë vetëm mësime nga teoria, por janë aplikime të mendësisë a një kulture politike mbi ushtrimin e politikës. Shkurt e shqip, faktori kulturë ndikon jashtëzakonisht shumë në politikë. Për shembull, Sokrati u propozonte qytetarëve që para se të kërkojnë drejtësi në qytet/shtet, të njëjtën paraprakisht le ta gjejnë te vetvetja.
Çfarë kulture politike e udhëheq Maqedoninë e Veriut?
Spektri politik në Maqedoninë e Veriut është gjumëngjyrësh në të gjithë dimensionet, si në aspekt kombëtar, fetar, por edhe atë ideologjik. Laramania e shoqërisë imponon kulturën e gjithëpërfshirjes. Inkluziviteti duhet të jetë alfa dhe omega, sidomos në fushëveprimin politik. Është shkelje, është diskriminim, është apolitike, cfarëdo veprimi përjashtues ndaj ndonjë individi a grupi, për shkak përkatësisë etnike a fetare.
Natyra, thoshte Aristoteli, ka rrënjosur te çdo njeri një instinkt shoqëror, dhe ai që krijoi i pari shtetin ishte bamirësi më i madh. Definicioni, por edhe vet organizimi i shtetit si formë politike për të lehtësuar dhe organizuar jetën institucionale të individit ka pësuar ndryshime, por në thelb shteti është organizimi institucional i njerëzve për të mirën e përgjithshme i bazuar në ligje dhe rregulla, që gjithashtu kanë për synim mirëqenien e njerëzve brenda një territori të caktuar.
Shtetin e Maqedonisë së Veriut sot e udhëheq koalicioni i VMRO-DPMNE-së, i prirë po nga kjo parti. Deklaratat e fundit të protagonistëve të kësaj partie, që njëherit janë edhe në vende udhëheqëse shtetërore vërtetojne se sa apolitik e përjashtues janë. Të njëjtit, shtetin – Republikën e Maqedonisë e Veriut- e ndajnë vetëm me hyzmeqarë dhe jo me partnerë. Sllogani i tyre elektoral “Ta kthejmë krenarinë” dhe retorika “Maqedonia e maqedonasve” ka ushqyer nacionalizmën maqedonase dhe automatikisht ka përjashtuar gjithë alternativat tjera, qofshin ato edhe më përparimtare e prosperuese. Diçka e zakonshme dhe e njohur, në përgjithsi, në Ballkan. Kjo mendësi automatikisht kultivon mendimin se të tjerët nuk janë qytetar të rendit të parë.
Përbërja e mëparshme qeveritare ishte e ndarë mes LSDM dhe BDI në 50/50, prandaj me të marrë pushtetin kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, pohoi se e ka kthyer shtetin, ka kthyer krenarinë e maqedonasve, ngase njësia matëse e krenarisë së njerëzve që ai përfaqëson është sasia e përfaqësimit të shqiptarëve në ekzekutiv. Kur është shteti i ndarë baraz, bie krenaria e “tvrdokorcave” (ultra nacionalistëve). Kjo kulturë vmroiste e qeverisjes, tashmë e njohur dhe e dëshmuar, nuk i bën përshtypje faktorit politik shqiptar. Kjo kulturë, që prenë si me thikë dhe përcakton vijat e trasha mbi atë se “kush duhet të jetë baba i ekzekutivit (lexo:shtetit)” është provincializëm tipik politik. Ekzekutivi duhet të jetë një trup gjithëpërfshirës si në organizim, poashtu edhe në zbatimin e politikave. Po, ka kryeministër, por ai duhet të jetë koordinatorë i punëve të ministrave të tij dhe jo të mbajë peshoren e krenarisë së rreme që për burim ka provincializmin politik.
Organizimi politik sot, ai modern, vërteton se asnjë qytetar, i çfarëdo besimi a etnie qoftë, nuk do të jetojë në një vend ku trajtohet si hyzmeqar, por si qytetar i lirë. Ndryshe, asnjë qytetar i lirë, nuk do që përfaqësuesin e vet që e ka zgjedhur për në ekzekutiv ta shohë si hyzmeqar të një klase politike që mendon të krijojë një farë lloj supremacie në shtet dhe politkbërje. Jo, asnjëherë! E papranueshme kjo për sistemin demokratik dhe shoqërinë që thirret në vlera liberale e progresiveb.
Po, qytetarët kanë nevojë për kthim të dinjitetit e krenarisë, por kjo vetëm sa i përket mirëqenies sociale e ekonomike, cilësisë së jetës dhe mundësive të barabarta.