Bislimi: Lajçak konfirmoi se letra e Brnabiqit nuk është tërhequr
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit të sotëm në Bruksel me dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, kundër zbatimit të pikave të Marrëveshjes që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, nuk është tërhequr.
Bislimi tha se për mos tërheqjen e letrës ka mësuar nga ndërmjetësi në dialog, Miroslav Lajçak.
Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.
Por, kryenegociatori serb, Petkoviq, e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Ndërsa, homologu i Bislimit, Petar Petkoviq gjithashtu konfirmoi se Beogradi ka insistuar në temat siç janë formimi i Asociacionit i komunave me shumicë serbe, shërbimet postare apo çështja e urës.
Gjithnjë sipas Petkoviqit, pa u trajtuar këto tema, nuk mund të flitet për normalizim.
Kryenegociatorët nga Prishtina e Beogradin nga dy herë kanë zhvilluar takime të ndara me Mirsolav Lajçak.
Duket se ndërmjetësi Lajçak ka në plan që sërish të organizoj një takim të kryenegociatorëve gjatë muajit tetor. /Telegrafi/