Konjufca: Po të mos ishte VV-ja, veriu do të përfundonte në negociata

Konjufca: Po të mos ishte VV-ja, veriu do të përfundonte në negociata

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se po të mos ishte Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata, sidomos pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet kosovare.

Ai ka thënë se Kosova i ka pasur dy opsione, shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit në atë pjesë dhe dorëzimin.

Sipas tij, kjo e fundit nuk është marrë në konsideratë nga Qeveria e Kosovës.
“Juve ju kujtohet, ishte një bojkotim i orkestruar prej anës së policëve, kryetarëve të komunave edhe Kosova ishte para dy opsione. Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni jonë, opsioni jonë është kushtetutshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit për të vendosur atje rendin dhe ligjin. Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e Kosovës”, ka thënë Konjufca, teksa ka reaguar edhe ndaj konferencës për shtyp të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për “masat” ndaj Kosovës.

Konjufca ka thënë se konferenca të tilla nuk i bëjnë përshtypje.

“Tash Vuçiqi po tenton t’i ruajë ato, me i ruajt ato që nuk i ka më edhe faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcënim i cili me thënë të drejtën nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë edhe është shansa e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për me marrë pjesë në procesin politik edhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, u shpreh Konjufca, raporton EO.

MARKETING