Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur 9 shkurtin e vitit të ardhshëm si datë të zgjedhjeve të ardhshme të rregullta parlamentare, transmeton Anadolu.

“Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025”, thuhet në dekretin e nënshkruar nga presidentja, të cilin e ka publikuar në rrjetet sociale.

Në dekretin e nënshkruar sot, Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka preferuar 2 shkurtin si datë të zgjedhjeve. Derisa, tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), patën deklaruar si datë 26 janarin.

Në takimin e 31 korrikut, mes presidentes dhe kryetarëve të partive politike, të cilin Osmani e pati thirrur për konsultim për datën e zgjedhjeve, kryeministri Albin Kurti nuk pati marrë pjesë me arsyetimin se të njëjtën kohë ka pasur të aranzhuar një drekë me ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Krahas kryeministrit Kurti, në takim me presidenten nuk morën pjesë as kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, si dhe ai i Partisë Egjiptiane, Elbert Krasniqi, që është njëherësh edhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe Qeveria e udhëhequr nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të jetë e para që nga shpallja e pavarësisë që do ta përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar. Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por, më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje të reja.

MARKETING