KFOR: Çdo vendim për Urën mbi lumin Ibër duhet të merret në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

KFOR: Çdo vendim për Urën mbi lumin Ibër duhet të merret në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar se çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi Lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të procesit të dialogut Kosvoë-Serbi në Bruksel, transmeton Anadolu.

Në një njoftim për media, KFOR-i bëri të ditur se në mëngjes, komandanti i këtij misioni të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.

“Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në qëndrimin e publikuar nga KFOR-i.

KFOR-i ka thënë se njësitet e saj mbajnë prani të përhershme dhe fikse në urë dhe do të vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri.

“Njësitë e KFOR-it mbajnë një prani të përhershme, fikse në urë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së”, thuhet tutje në reagim.

Dy ministrat e Qeverisë së Kosovës, ai i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë inspektuar sot Urën e Ibrit, të cilën Qeveria e Kosovës planifikon ta hapë për qarkullim së shpejti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë një deklarate për media ka thënë se hapja e urës është çështje e vlerësimit të ekspertëve.

“Ura do të hapet, nuk ka asnjë arsye të mos hapet, se kur do të hapet kjo është çështje që vlerësohet nga ekspertët”, ka thënë Sveçla.

MARKETING