Avokati Koci konfirmon se ka gjetur vendin ku mbahet trupi i Faton Hajrizit

Avokati Koci konfirmon se ka gjetur vendin ku mbahet trupi i Faton Hajrizit

Avokati Arianit Koci ka thënë se e ka gjetur vendin ku po mbahet trupi i Faton Hajrizit, i cili u vra të premten në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Në një prononcim të shkurtë për KOHËN të enjten [sot] nga Serbia, Koci ka thënë se për detaje të tjera do të lajmërohet gjatë ditës.

“Unë kam hyrë në Serbi, jam në drejtim të Beogradit, kontaktet e para zyrtare i kam bërë … unë në këtë moment nuk mund të ndajë asgjë me shumë, po e vërejë që ka një tendencë p0ër zvarritje të procesit, sidoqoftë ky proces tashmë ka filluar dhe do të përfundojë”, është shprehur Koci, në një lidhje live në emisionin “Sot” në KTV.

Koci është avokat i autorizuar nga familja për ta tërhequr trupin e Faton Hajrizit nga Serbia.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, që kumtoi lajmin për vrasjen e Hajrizit, i cili kërkohej nga autoritetet në Kosovë pas arratisjes nga burgu, ka thënë se do të komunikojnë vetëm me EULEX-in në Kosovë.

E nga ky mision të martën kanë konfirmuar se tashmë ka një kërkesë për përfshirjen e tyre në këtë rast.
“Në përputhje me mandatin aktual të EULEX-it, Misioni mbështet Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Në rastin konkret, EULEX-i ka pranuar një kërkesë e cila është proceduar në përputhje me mandatin tonë. Çdo shkëmbim i mundshëm i informacionit policor i lehtësuar përmes EULEX-it trajtohet me parimin e konfidencialitetit”, kanë thënë në EULEX përmes një përgjigjeje me shkrim.

KOHA të enjten ka pyetur misionin e EULEX-it nëse ka marrë ndonjë informatë shtesë dhe cila është përgjigja që ata i kanë dhënë kërkesës për përfshirjen e tyre në këtë rast dhe posa të marrë përgjigje, teksti do të përditësohet.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një konferencë për media të mërkurën [dje] ngriti dyshimet se ende nuk dihet nëse i vrari është Faton Hajrizi. Të hënën, kjo ministri konfirmoi se gjurmët e gishtërinjve të dërguar nga Serbia i përkisnin shtetasit Faton Hajrizi.

MARKETING