Agjencia e OKB-së: Gazës i duhen 15 vjet për të hequr rrënojat e shkaktuara nga lufta izraelite

Agjencia e OKB-së: Gazës i duhen 15 vjet për të hequr rrënojat e shkaktuara nga lufta izraelite

Pastrimi i Rripit të Gazës nga rrënojat e shkaktuara nga ofensiva vdekjeprurëse izraelite do të zgjaste rreth 15 vjet, tha sot Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu.

“Do të duheshin deri në 15 vjet për të pastruar rreth 40 milionë tonë rrënoja lufte në Gaza”, tha UNRWA, duke cituar një vlerësim nga Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP).

Ajo tha se heqja e mbeturinave të luftës në Gaza do të kërkonte mbi 100 kamionë dhe do të kushtonte mbi 500 milionë dollarë.

“Mbeturinat paraqesin kërcënim vdekjeprurës për njerëzit në Rripin e Gazës pasi mund të përmbajnë municione të pashpërthyera dhe substanca të dëmshme”, shtoi agjencia e OKB-së.

Muajin e kaluar, Radioja e Ushtrisë së Izraelit, duke cituar zyrtarë ushtarakë, tha se rreth 50.000 bomba janë hedhur në Gaza nga avionët luftarakë izraelitë që nga 7 tetori i kaluar, duke shtuar se midis 2.000-3.000 bomba nuk kanë shpërthyer.

Të paktën 38.700 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite, ndërsa një pjesë e madhe e enklavës është shndërruar në rrënoja.

MARKETING