Konjufca: Nëse nuk ndëshkohet, Serbia do ta përsërisë skenarin e Banjskës në përmasa shumë më të mëdha
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Serbia e pandëshkuar për sulmin në Banjskë “ka për ta përsëritur” skenarin e njëjtë, por këtë radhë ai paralajmëron se do ta bëjë në përmasa më të mëdha.
Në takim me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, Konjufca ka thënë se Kosova po përballet me rrezik për shkak të pretendimeve të autoriteteve serbe.
“Një temë e pashmangshme në këto rrethana të paqëndrueshmërisë globale në të cilat ndodhemi ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet me të cilat po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimin tim presidentit Nussbaumer se po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë që u krye në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar, por me përmasa shumë më të mëdha” ka thënë Konjufca.