Kurti: Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje

Kurti: Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje, ashtu siç “është në rritje edhe demokracia e saj”.

Në një opinion të botuar në “The New York Times” në të cilin ka përshkruar rolin e NATO-s dhe arritjet e saj në Kosovë, Kurti ka përshkruar sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se trupa paraushtarake serbe të armatosura rëndë erdhën nga Serbia.

“Megjithatë, edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje. Në muajin shtator, trupat paraushtarake serbe, të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se vinin nga Serbia, zunë pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës, në atë që qeveria e SHBA-së, e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshinte armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan pranë kufirit tonë, një veprim i cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si ‘destabilizues’”, ka shkruar Kurti.

Ndër të tjera, i pari i ekzekutivit, thotë se kërcënimet për një luftë në Evropë nuk mungojnë, por se besimi në NATO, është shpresë për të gjithë.

Tutje, Kurti shprehet se një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë.

“Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë: Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë një kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveçse të shpërqendrojë botën nga lufta që po bën në Ukrainë. Nën drejtimin e zotit Vuçiq, Serbia ka investuar shumë në bashkëpunimin e saj ushtarak dhe ushtarak me Rusinë”, u shpreh Kurti.

Kurti në këtë opinion e ka akuzuar Serbinë për pengim të integrimit të serbëve në Kosovë.

Ai në këtë opinion ka shkruar se Kosova njihet si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë sipas tij kontribut të madh ka dhënë NATO-ja.

MARKETING