Putin paralajmëron Korenë e Jugut: Bëni gabim të madh nëse armatosni Ukrainën

Putin paralajmëron Korenë e Jugut: Bëni gabim të madh nëse armatosni Ukrainën

Vladimir Putin ka paralajmëruar Korenë e Jugut se do të bëjë “një gabim të madh” nëse armatos Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Deklaratat e tij vijnë pasi Seuli tha se po e konsideronte një mundësi të tillë, në përgjigje të paktit të ri mes Rusisë dhe Koresë së Veriut për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast të “agresionit” kundër secilit vend.

Moska “do të marrë vendime që me shumë gjasa nuk do t’i pëlqejnë udhëheqjes aktuale të Koresë së Jugut” nëse Seuli vendos të furnizojë me armë Kievin, tha Putin për gazetarët të enjten.

Lideri rus foli në Vietnam, menjëherë pas një vizite “të lavdishme” në Phenian ku nënshkroi një marrëveshje të mbrojtjes reciproke me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Putin gjithashtu paralajmëroi se Moska është e gatshme të armatosë Phenianin nëse SHBA dhe aleatët e saj vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Ata që furnizojnë këto armë besojnë se nuk janë në luftë me ne. Thashë, përfshirë edhe në Phenian, që ne atëherë rezervojmë të drejtën të furnizojmë armë në rajone të tjera të botës”, tha Putin.

Seuli më herët e kishte dënuar marrëveshjen e Rusisë me Korenë e Veiut si një kërcënim për sigurinë e tij kombëtare dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Chang Ho-jin kishte thënë se vendi i tij planifikon “të rishqyrtojë çështjen e mbështetjes me armë për Ukrainën”.

Pas komenteve të zotit Putin, zyra presidenciale e Koresë së Jugut tha të premten se do të konsiderojë “opsione të ndryshme” në furnizimin me armë për Ukrainën dhe qëndrimi i saj do të “varet nga mënyra se si Rusia i qaset kësaj çështjeje”.
Gjithashtu, Seuli thirri ambasadorin rus Georgy Zinoviev për të protestuar kundër paktit, duke kërkuar që Moska “të ndërpresë menjëherë” bashkëpunimin ushtarak me Phenianin.

Ndërkohë që Koreja e Jugut ka dhënë ndihmë humanitare dhe pajisje ushtarake për Ukrainën, deri tani ka refuzuar të ofrojë armë vdekjeprurëse pasi ka një politikë zyrtare për të mos armatosur vendet në luftë.

Disa në Ukrainë kanë shpresuar se bashkëpunimi ushtarak në rritje mes Moskës dhe Phenianit do ta shtynte Seulin të rishikonte qasjen e tij. Analistët më herët kishin thënë se Kievi do të përdorte vizitën e Putin në Phenian për të shtuar presionin.

Gjatë vizitës, Kim gjithashtu premtoi “mbështetje të plotë” për pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Ka dëshmi në rritje se Rusia tashmë ka përdorur raketa të Koresë së Veriut në Ukrainë.

Herët të premten, zëdhënësi i këshillit të sigurisë kombëtare të SHBA-së, John Kirby, reagoi ndaj marrëveshjes së Rusisë me Korenë e Veriut, duke thënë se ajo duhet të “jetë shqetësuese për çdo vend që i intereson ruajtja e paqes dhe stabilitetit” në rajon.

Ai shtoi se marrëveshja nuk ishte “befasi”, duke thënë se SHBA-ja kishte paralajmëruar për “marrëdhënien mbrojtëse në rritje” mes dy vendeve për shumë muaj.

Tokio tha se ishte “seriozisht i shqetësuar që presidenti Putin nuk përjashtoi bashkëpunimin në teknologjinë ushtarake me Korenë e Veriut”, tha zëdhënësi i qeverisë japoneze Yoshimasa Hayashi, duke shtuar se marrëveshja ishte “e papranueshme”.

Analistët kanë thënë se traktati mund të ketë pasoja të rëndësishme për botën si dhe për rajonin. Përveç mundësisë që Koreja e Veriut të armatosë hapur Rusinë, ai gjithashtu mund të shohë ndërhyrjen e Rusisë në çdo konflikt të ri në gadishullin Korean.

MARKETING