(FOTO) Aksioni i Policisë në veri, u konfiskuan rreth 75 milionë dinarë, 1.6 milion euro, dollarë e franga

(FOTO) Aksioni i Policisë në veri, u konfiskuan rreth 75 milionë dinarë, 1.6 milion euro, dollarë e franga

Policia e Kosovës ka shpalosur detaje shtesë lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditës së hënë në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se përpos mbylljes së gjashtë njësive ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale përfshirë 75 milionë dinarë (rreth 640 mijë euro).

“Janë konfiskuar rreth  1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinar, rreth  19.500 franga, rreth 13.800 dollar amerikan, 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se “Gjashtë filiale të të ashtuquajturës  ‘Bankë Postare Kursimore’  në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Ndryshe, Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Në njoftim të Policisë së Kosovës u tha se aksioni kaloi pa ndonjë problem dhe incident.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, tha policia.

Në aksionin e 20 majit në katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) të pranishëm ishin edhe pjesëtar të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe ata të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR./Telegrafi/

MARKETING