(FOTO) Polica gjen arsenal armatimi në veri të Kosovës
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, gjatë një konference për media kanë folur për armët dhe municionin e gjetur nga Policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të vendit.
Në një konferencë për media, Hoxha, duke shpalosur hollësitë e aksionit, informoi se nga bashkëpunimi i ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe informacionet e pranuara, policia kreu një bastisje në rrethinën e Zveçanit.
“Operacioni u zhvillua pranë Urës së Hekurt dhe rezultoi me zbulimin e armatimit të rëndë dhe pajisjeve ushtarake të fshehura, të cilat dyshohet se kishin për qëllim të sulmonin institucionet e sigurisë të Kosovës dhe të trazonin qetësinë në rajon,” deklaroi Hoxha.
Sasia e konfiskuar nga policia është e madhe dhe përfshin: 1 mijë e 588 municione, 10 armë të gjata, 6AK 47, mitrolozë, 62 shok-bomba, eksplozivë të ndryshëm, dylbi, radiolidhje, pajisje shurdhuese, karikatorë, maska, jeleka antiplumb, unifrome të ushtrisë serbe dhe uniforma të Policisë së Kosovës, si dhe pajisje për dronë.
Hoxha shtoi se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur të gjithë rrethanat dhe përgjegjësitë individuale në lidhje me këtë rast.
Ndërkohë, ministri Sveçla shprehu vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të ballafaquar çdo përpjekje për cënimin e rendit kushtetues.
“Askush nuk mund të shpëtojë nga përgjegjësia e veprimeve që cënojnë sigurinë e Kosovës. Drejtësia do t’i ndjekë dhe të gjithë fajtorët do të marrin dënimin e merituar,” pohoi Sveçla./Telegrafi/