“Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë”

“Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron, me të cilin ka shprehur besimin se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa parakushte shtesë, transmeton Anadolu.

Në njoftimin zyrtar të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës njoftohet se kryeministri Kurti falënderoi presidentin Macron dhe Francën për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës.

“Kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit. Ai theksoi se Kosova meriton anëtarësimin mbi bazën e performancës dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore”, thuhet në njoftim.

Sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit.

“Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në krye me Millan Radoiçiq, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se po ashtu Kurti e njoftoi presidentin Macron për “presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit”.

Më 21 prill, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konsideroi të dështuar procesin e votimit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktual shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

MARKETING