Serbia bllokon autobusët nga Kosova në kufi – bëhet thirrje për vigjilencë

Serbia bllokon autobusët nga Kosova në kufi – bëhet thirrje për vigjilencë

Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që janë duke udhëtuar që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër territorin e Serbisë.

Kjo thirrje e MPJD-së dhe MPB-së ka ardhur pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi, ku dhjetëra autobusë me qytetarë nga Kosova janë ndaluar që nga mbrëmë dhe nuk po lejohen të kalojnë.

“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se autoritetet në Serbi që nga mesnata “po mbajnë të bllokuar” së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë nga Kosova.

Sipas tij, bllokimi i autobusëve në pikë kalimin kufitar Batrovci, që lidh Serbinë me Kroacinë, është bërë “në shenjë hakmarrjeje dhe nervozizmi absurd” ndaj votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

MARKETING