Biseda e parë pas sulmit izraelit ndaj autokolonës humanitare, Biden i dërgon mesazh të ashpër Netanyahut

Biseda e parë pas sulmit izraelit ndaj autokolonës humanitare, Biden i dërgon mesazh të ashpër Netanyahut

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden bisedoi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Shtëpia e Bardhë publikoi pjesë të bisedës.

Joe Biden i ka thënë Benjamin Netanyahut se mbështetja e ardhshme e SHBA-së për luftën në Gaza do të varet nga ndërmarrja e veprimeve konkrete nga Izraeli për të mbrojtur civilët dhe punonjësit humanitarë pasi të dy udhëheqësit zhvilluan bisedën e tyre të parë telefonike që kur sulmet ajrore izraelite vranë shtatë punonjës të organizatës ndërkombëtare bamirëse ushqimore World Central Kitchen, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Komentet e Biden u bënë jehonë nga sekretari i tij i shtetit, Antony Blinken, i cili tha se mbështetja e SHBA-së do të kufizohej nëse Izraeli nuk arrinte të rregullonte sjelljen e tij.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden theksoi “se si sulmet ndaj punonjësve humanitar dhe e gjithë situata humanitare në Gaza janë të papranueshme”, raporton “The Guardian”.

Gjatë bisedës, Biden tregoi qartë nevojën që Izraeli të shpallë dhe zbatojë një sërë hapash konkretë dhe të matshëm për të adresuar dëmtimet civile, vuajtjet humanitare dhe sigurinë e punonjësve humanitar.

Ai gjithashtu bëri të ditur se politika amerikane në lidhje me Gazën do të përcaktohet nga vlerësimi i veprimit të menjëhershëm të Izraelit në këto hapa.

Ai posaçërisht theksoi se armëpushimi aktual është thelbësor për stabilizimin dhe përmirësimin e situatës humanitare dhe mbrojtjen e civilëve të pafajshëm dhe i bëri thirrje kryeministrit që të autorizojë negociatorët e tij që të lidhin një marrëveshje për kthimin e pengjeve pa vonesë.

Kjo ishte biseda e parë mes Bidenit dhe Netanyahut që nga sulmi izraelit në autokolonën humanitare dhe pasi Biden kritikoi ashpër kryeministrin izraelit për këtë.

MARKETING