SHBA, zgjedhje paraprake në pesë shtete, Biden dhe Trump vazhdojnë fushatën
Pesë shtete po mbajnë të martën zgjedhje paraprake presidenciale, ndërsa Presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump vazhdojnë fushatën në të gjithë vendin, pasi kanë siguruar numrat e duhur të delegatëve për emërimin zyrtar nga partitë e tyre.
Gjatë fundjavës Trump mbajti një tubim në Ohajo, një shtet i cili prej disa vitesh ka votuar pro republikanëve. Por ka shenja se këtë vit ky shtet mund të jetë i lëkundur. Ndërkohë, presidenti Biden do të vizitojë Nevadën dhe Arizonën të martën për të bërë fushatë, mes të tjerash për të bërë për vete votuesit hispanikë në këto dy shtete.
Të dy kandidatët po e cilësojnë njëri-tjetrin si kërcënim për Amerikën. Zoti Trump, 77 vjeç, e ka portretizuar 81-vjeçarin Biden si të paaftë mendërisht. Presidenti e ka përshkruar rivalin e tij republikan si një kërcënim për demokracinë pas përpjekjes së tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Trump përballet me disa sfida ligjore, përfshirë dhjetëra akuza penale dhe çështje civile, për të cilat ai thotë se janë të motivuara politikisht./VOA