Gjermania: Hetimi për Banjskën është i një rëndësie vendimtare

Gjermania: Hetimi për Banjskën është i një rëndësie vendimtare

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha në Beograd më 7 shkurt se hetimi për ngjarjet në Banjskë, është i një rëndësise vendimtare.

Në Banjskë më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues.

“Është e rëndësishme dhe është e nevojshme për Serbinë që të vazhdojë të hetojë ngjarjet e 24 shtatorit, dhe kjo është e një rëndësie vendimtare”, tha Pistorius gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kosova fajëson Serbinë se qëndron prapa kësaj ngjarjeje, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë tha po ashtu se është e rëndësishme që Serbia të reduktojë praninë ushtarake në kufi me Kosovën.

Po ashtu, ai bëri thirrje për uljen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe për rikthimin e palëve në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Këto deklarata ai i bëri pas një takimi që zhvilloi në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 7 shkurt.

Duke komentuar vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë, Pistorius tha se zbatimi i vendit “duhet të jetë i organizuar dhe nuk duhet që askush të lëndohet”, duke kërkuar një “periudhë tranzicioni” për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“Nuk është në interesin e askujt që raportet të tensionohen edhe më tej”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Kosova ka thënë se zbatimi i rregullores të BQK-së për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një periudhe të tranzicionit gjatë muajit shkurt.

Serbia ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

MARKETING