Musk njofton se Neuralink bëri implantimin e parë të një çipi në trurin e njeriut
Miliarderi amerikan i teknologjisë, Elon Musk, njoftoi se kompania startup Neuralink për herë të parë ka bërë implantim të një çipi në trurin e një njeriu, transmeton Anadolu.
“Njeriu i parë pranoi një implantim nga Neuralink dje dhe po rikuperohet mirë. Rezultatet fillestare tregojnë zbulim premtues të pikës së neuronit”, tha Musk në X, pa e identifikuar pacientin.
Ai tha se produkti i parë i Neuralink quhet “Telepathy”.
Musk u shpreh se çipi “mundëson kontrollin e telefonit ose kompjuterit tuaj, dhe përmes tyre pothuajse çdo pajisje, vetëm duke menduar. Përdoruesit fillestarë do të jenë ata që kanë humbur përdorimin e gjymtyrëve të tyre”.
“Imagjinoni sikur Stephen Hawking të mund të komunikonte më shpejt se një daktilografist. Ky është qëllimi”, u shpreh ai.
Vitin e kaluar, Neuralink njoftoi se kishte marrë miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për studimin e saj klinik të parë në njerëz të implanteve të trurit.
Në vitin 2016, Musk bashkëthemeloi Neuralink për të integruar trurin e njeriut me inteligjencën artificiale (AI), duke krijuar pajisje të ngulitura në tru për të lehtësuar bashkimin e trurit me pajisjet.
Në faqen e internetit të kompanisë thuhet se ata po ndërtojnë pajisje që kanë potencialin për të ndihmuar njerëzit me paralizë.