Pretendimi se Vulin ishte në Kosovë ditën e sulmit në Banjskë, mund t’i ndryshojë gjërat

Pretendimi se Vulin ishte në Kosovë ditën e sulmit në Banjskë, mund t’i ndryshojë gjërat

Aleksandar Vulin mbajti pozitën e shefit të Shërbimit Sekret të Serbisë edhe pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në listën e zezë. Dorëheqje Vulin dha tek pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Këtë akt u pretendua që ai ta ketë bërë pasi qëndroi në veriun e Kosovës, ditën kur ndodhi sulmi terrorist.

Këtë çështje e ka ngritur Xhavit Haliti, deputeti shumëvjeçar i Kuvendit të Kosovës.

“Vulin, shefi i shërbimeve të fshehta, ishte në Veriun e Mitrovicës dhe askush nuk e tha që Vulini ishte, por diplomacia funksionon diplomacia funksionon pak ma ndryshe se që ne mendojmë, por ai u detyrua që të japë dorëheqje në Serbi”, deklaroi Xhavit Haliti.

“Ndërkombëtarët e dinë që  zoti Vulin ka qenë në Kosovë në atë periudhë. Tani cilën ditë, cilën orë unë nuk e di. Nuk kam informata. U e di që ka qenë dhe kanë informata institucioney ndërkombëtare qind për qind”, shtoi Haliti.

Për këtë arsye, sipas Halitit, institucionet kosovare janë duke e vonuar raportin preliminar që do të zbardhë shumëçka të asaj që ndodhi më 24 shtator.

Institucionet e Sigurisë e të Drejtësisë në Kosovë nuk kanë dashur të flasin gjatë ditës për këtë çështje.

Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur gjatë ditës së televizionit në lidhje me raportin preliminar, të cilin janë duke përgatitur bashkë me institucionet e tjera për sulmi terrorist në Bajnskë të Zveçanit.

Ndër institucionet që nuk kthyen përgjigje është edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Më njëzet vjetor, ministri Xhelal Sveçla deklaroi se raporti do të dalë gjatë ditëve të ardhshme.

Nëse vërtetohet prezenca e Vullinit në Kosovë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se gjërat do të duhej të ndryshonin.

“Rrethanat do të do duhej të ndryshonin, për arsye se është një agresion i hapur ndaj një shteti, pavarësisht se Serbia nuk e ka njohtë. Se sa do t’i ndryshonte rrethanat ky fakt varet edhe nga një faktor tjetër: varet nga potenca që ka Kosova në marrëdhënie ndërkombëtare e që fatkeqësisht janë shumë për të dëshiruar për arsye se politika jonë e jashtme është e mekur që disa vite”.

Në disa raste, institucionet e Kosovës kanë prezantuar fakte për përfshirjen e shtetit të Serbisë në këtë sulm.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha bashkë me ministrin Xhelal Sveçla në tetor prezantuan videomateriale.

Ku shihen anëtarë të grupit terrorist të udhëhequr nga Millan Radoviçiç duke u përgatitur në bazat e ushtrisë së Serbisë./RTV Dukagjini/

MARKETING