Gjysma e popullsisë së Gazës po vdes nga uria

Gjysma e popullsisë së Gazës po vdes nga uria

Luftimet e ashpra në të gjithë Rripin e Gazës, përfshirë edhe veriun, kanë vazhduar edhe të dielën, derisa Izraeli ka intensifikuar ofensivën pas vendosjes së vetos nga SHBA-ja ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “armëpushim të menjëhershëm humanitar”.
Kërcënim tjetër i Gazës po del të jetë edhe uria, me gjysmën e popullsisë që po vdes nga ky shkak.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë mbështetje jetike ofensivës izraelite edhe një herë ditët e fundit, duke i vënë veton përpjekjeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për t’i dhënë fund luftimeve.

SHBA-ja ka aprovuar po ashtu një shitje urgjente prej mbi 100 milionë dollarësh për municione tankesh në Izrael.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka falënderuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden për “municionin e rëndësishëm për vazhdimin e luftës” dhe për mbështetjen e Izraelit në Këshillin e Sigurimit.

E në Gazën qendrore, qindra palestinezë vazhdojnë të presin për t’u furnizuar me miell jashtë një qendre shpërndarjeje të OKB-së.

Çmimi i ushqimeve është rritur, pasi një pjesë e madhe e territorit po përballet me mungesa të mëdha.

Gjysma e popullsisë së Gazës po vdes nga uria teksa luftimet në këtë vend po vazhdojnë.

Carl Skau, zëvendësdrejtor i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, ka thënë se vetëm një pjesë e furnizimeve të nevojshme kanë mundur të hyjnë në Rrip – dhe nëntë nga 10 persona nuk mund të hanë çdo ditë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, i cili ka bërë thirrje për armëpushim, ka thënë se po përballen me një rrezik të madh të kolapsit të sistemit humanitar.

“Situata po përkeqësohet shpejt në një katastrofë me implikime potencialisht të pakthyeshme për palestinezët në tërësi dhe për paqen dhe sigurinë në rajon” ,ka thënë ai.

Lëvizja brenda dhe jashtë Gazës ka qenë shumë e kufizuar që nga 7 tetori, kur luftëtarët e Hamasit depërtuan nëpër gardhin rrethues të Izraelit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke kapur 240 pengje.

Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi, ka raportuar se Izraeli ka vrarë më shumë se 17.700 palestinezë në fushatën e tij hakmarrëse, duke përfshirë më shumë se 7 mijë fëmijë.

MARKETING