Turqia dhe Algjeria nënshkruan 12 marrëveshje në fusha të ndryshme

Turqia dhe Algjeria nënshkruan 12 marrëveshje në fusha të ndryshme

Türkiye dhe Algjeria kanë nënshkruar 12 marrëveshje në fusha të ndryshme gjatë një vizite në Algjeri të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

Erdoğan dhe homologu i tij algjerian, Abdelmadjid Tebboune, bashkë-kryesuan takimin e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Türkiye-Algjeri, që u mbajt në kryeqytetin Algjer.

Më pas, liderët iu bashkuan një ceremonie të nënshkrimit të marrëveshjeve.

Duke iu referuar tregtisë midis dy vendeve, presidenti Erdoğan tha se vitin e kaluar vëllimi tregtar midis dy vendeve arriti një rekord prej 5.3 miliardë dollarësh. Ai tha se presin që ky vëllim të arrijë në 6 miliardë dollarë deri në fund të këtij viti.

“Me përpjekjet që do të rrisim, shpresojmë që brenda një kohe të shkurtër të arrijmë objektivin prej 10 miliardë dollarësh në vëllim tregtar që kemi vendosur me vëllain tim Tebboune”, tha Erdoğan.

Presidenti turk ndau vlerësimin e tij për përpjekjet e Algjerisë për të vlerësuar potencialin e saj ekonomik nën udhëheqjen e presidentit Tebboune.

“Ne ndjekim nga afër përpjekjet e rreth 1.400 kompanive turke që mbështesin këtë proces. Ne krenohemi që kompanitë tona janë investitorët dhe ofruesit më të mëdhenj të punës në sektorët jo hidrokarbure në Algjeri. Ne do të përpiqemi t’i rrisim edhe më tej këto investime. Jemi të kënaqur me investimet e Algjerisë në vendin tonë”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se Türkiye dëshiron të diversifikojë dhe përmirësojë marrëdhëniet në energjinë e rinovueshme përmes partneriteteve të reja me Algjerinë.

Tebboune, nga ana e tij, tha se vizita e presidentit Erdoğan, pavarësisht nga “kushtet e veçanta dhe të jashtëzakonshme” në nivelet rajonale dhe ndërkombëtare, është një sukses i rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Duke marrë parasysh vullnetin e sinqertë nga të dyja palët, tha Tebboune, marrëdhëniet Türkiye-Algjeri janë të forta dhe kanë horizonte të hapura për bashkëpunim të mëtejshëm. Ai shtoi se Algjeria është bërë partneri i dytë tregtar i Türkiyes në Afrikë.

Erdoğan dhe Tebboune po ashtu nënshkruan një deklaratë të përbashkët për takimin e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë midis Türkiyes dhe Algjerisë.

Ndërkohë, edhe agjencia globale turke e lajmeve Anadolu dhe Shërbimi i Shtypit i Algjerisë nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi.

MARKETING