Ministrja austriake, propozim BE-së: Imperative – njohja e Kosovës nga të gjithë anëtarët
Ministrja Federale për BE-në dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edtstadler, ka dalë me një propozim pesë-pikësh për Bashkimin Evropian që ky mekanizëm, sipas saj, t’i kthejë fjalët në vepra për Ballkanin Perëndimor.
Pa dyshim që në propozimin e saj nuk ka mbetur pa u përmendur edhe Kosova, për të cilën thotë se duhet të shqyrtohet kërkesa që Prishtina ka propozuar për anëtarësim në bllokun evropian para mbajtjes së zgjedhjeve në BE.
Edtstadler thotë se BE-ja duhet të ketë parasysh “progresin e bisedimeve të anëtarësimit me Serbinë, si dhe procesimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim para zgjedhjeve në BE-së (në varësi të zhvillimeve të mëtejshme në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë); nëse BE-ja dëshiron të marrë timonin, njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së është imperative”, ka shkruar Edtstadler, raporton Klankosova.tv.
osova, thotë ajo, e dorëzoi aplikacionin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor 2022 – “pa ndonjë vendim ende nga ana jonë se si do të procedohet me të”.
Ndër tjera, ajo ka shtuar se: “Incidentet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë na kanë treguar se sa e brishtë është situata në rajon”.
Po ashtu, është përmendur edhe hapja e konferencave ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fillim të vitit 2024.
“Hapja e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën deri në fund të vitit 2023. Progres konkret me Malin e Zi përpara zgjedhjeve të BE-së”.
“Unë gjithashtu mendoj se BE-ja duhet të vendosë data konkrete, objektiva individuale të anëtarësimit për secilin nga 6 vendet pasi komisioni i ardhshëm i BE-së të marrë detyrën”.
“Në fund, derisa ne njohim rëndësinë për të folur mbi të ardhmen e BE-së, ne besojmë se kjo nuk do të vonojë procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ministrja austriake në letrën drejtuar institucioneve të BE-së. /Klankosova.tv