Pentagoni pranon se “mijëra” civilë janë vrarë në Gaza

Pentagoni pranon se “mijëra” civilë janë vrarë në Gaza

Pentagoni ka pranuar se “mijëra” civilë janë vrarë në Rripin e Gazës së rrethuar në mes të bombardimeve ajrore të vazhdueshme të Izraelit dhe pushtimit tokësor, transmeton Anadolu.

I pyetur nga gazetarët lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza që raportoi se mbi 10 mijë njerëz kanë vdekur që nga fillimi i armiqësive më 7 tetor, zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, tha se e dinë se “numrat janë në mijëra” dhe theksoi se nuk ka një “numër specifik” për t’ua përcjellë gazetarëve.

“Kjo është një arsye pse ka qenë një pikë e theksuar në diskutimet tona me izraelitët dhe të tjerët në rajon se sa e rëndësishme është të dërgohet ndihma humanitare në Gaza. Dhe, kështu ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të fokusuar në këtë, përderisa viktimat civile janë në mijëra”, tha Ryder.

Komentet u bënë jehonë në Shtëpinë e Bardhë, ku zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, pranoi “shumë, shumë mijëra” të vdekur civilë deri më sot, por sikurse Ryder edhe ai nuk pranoi të konfirmonte shifra specifike të viktimave të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Izraeli filloi sulmet ajrore dhe tokësore në Gaza pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, që vrau mbi 1.400 izraelitë. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 10.022 palestinezë, përfshirë 4.104 fëmijë dhe 2.641 gra, janë vrarë gjatë bombardimeve të pamëshirshme të Izraelit.

Më tej, Ryder tha se forcat amerikane në Irak dhe Siri janë sulmuar me dronë dhe raketa 38 herë që nga 17 tetori. Kjo përfshin 20 sulme në Irak dhe 18 në Siri. Ryder i përshkroi ato si “sulme kryesisht ngacmuese”.

Gjithsej 45 trupa janë plagosur në këto sulme, përfshirë 24 të cilët u diagnostikuan me lëndime traumatike dhe 21 të tjerë që pësuan lëndime të lehta.

MARKETING