Kurtulmush në Sarajevë: Fajtorët për krimet në Gaza do të përgjigjen para gjykatave ndërkombëtare

Kurtulmush në Sarajevë: Fajtorët për krimet në Gaza do të përgjigjen para gjykatave ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Türkiyes (TBMM) Numan Kurtulmuş sot në Sarajevë tha se përgjegjësit për masakrat në Gaza me siguri do të mbajnë përgjegjësi para gjykatave ndërkombëtare të drejtësisë, ashtu si u ndoqën penalisht kriminelët e Srebrenicës dhe Aushvicit, raporton Anadolu.

Kryeparlamentari turk mbërriti për një vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), gjatë së cilës mori pjesë në ceremoninë e mbajtur në Universitetin Ndërkombëtar në Sarajevë (IUS) me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Në ceremoni morën pjesë studentë dhe mysafirë të shumtë, ndër të cilët edhe nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të BeH, Denis Zvizdiq.

Kurtulmuş para të pranishmëve dhe studentëve mbajti një ligjëratë me titull “A është e mundur një botë më e mirë?” dhe me këtë rast vuri në dukje sfidat dhe krizat aktuale në botë dhe ndryshimet e duhura për tejkalimin e këtyre krizave.

Duke falënderuar themeluesit dhe menaxhmentin e IUS për punën dhe arritjet e tyre të përkushtuara, Kurtulmuş tha se Türkiye po feston 100-vjetorin e Republikës me shpresën se në të ardhmen do të vazhdojë përparimin dhe reputacionin e saj në botë për të ndërtuar një botë më të drejtë me miqtë e saj.

“Ky universitet vërtet është një histori suksesi. Shpresoj se do të vazhdojë të punojë dhe t’i shërbejë popullit të Bosnjë e Hercegovinës dhe Ballkanit në dekadat e ardhshme si një institucion arsimor i respektuar dhe prestigjioz”, tha Kurtulmuş.

Ai theksoi se miqësia historike mes Türkiyes dhe BeH-së është e njohur dhe shtoi se Türkiye është gjithmonë dhe në çdo fushë me BeH-në.

“Türkiye është një vend që e ka mbështetur gjithmonë BeH-në. Ajo gjithashtu ofron ndihmë edhe në rrugën e saj drejt së ardhmes. Vazhdimi i statusit të BeH-së në nivel ndërkombëtar, ruajtja e integritetit të saj territorial dhe ekzistenca e BeH-së si tërësi në përputhje me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit është prioriteti ynë po aq sa është prioritet i BeH-së”, tha Kurtulmuş.

Ai theksoi se është i vetëdijshëm se largimi i të rinjve nga BeH-ja dhe vendet e Ballkanit është kërcënim për këtë vend dhe rajonin dhe shtoi se pikërisht institucionet si IUS janë ato që kanë një rëndësi të madhe për aftësimin e të rinjve për punë dhe të qëndrojnë në BeH.

“Po kalojmë një periudhë të vështirë. Në të gjitha pjesët e botës ka vështirësi, konflikte dhe turbulenca. Pa dyshim, jemi në periudhën më të brishtë të historisë njerëzore. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ka shumë mundësi dhe potencial para njerëzimit, veçanërisht në aspektin e zhvillimit shkencor. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për jetën dinamike dhe me ritme të shpejta dhe detyra jonë është të forcojmë maksimalisht stabilitetin si dhe të krijojmë dhe të shfrytëzojmë mundësitë për ta bërë botën një vend më të drejtë dhe më të mirë për të jetuar”, tha Kurtulmuş.

Ai theksoi se sfidat dhe problemet aktuale në botë kërkojnë zgjidhje të vështira, por se bota aktualisht po merret vetëm me pasojat e këtyre krizave, duke përfshirë krizat klimatike, konfliktet dhe të ngjashme.

“Megjithatë, askush nuk pyet se si është e mundur që në një botë me këtë lloj zhvillimi të shkencës dhe teknologjisë, të ketë probleme si shkrirja e akullnajave, si ndodh që të gjithë lumenjtë në Evropë janë helmuar, si u shkatërruan pyjet në Brazil. Pas gjithë këtyre problemeve qëndron oreksi i pakufizuar i njeriut për menaxhim dhe pronësi në kapitalizmin e egër. Ata që e shohin botën si atdheun e tyre, e kanë sjellë botën aty ku është tani. Prandaj është e pamundur të arrihen përmirësime dhe ndryshime pa hequr mentalitetin e kapitalizmit të egër”, tha Kurtulmuş.

Duke theksuar migrimin si një nga problemet dhe sfidat më të mëdha në botë dhe në Evropë, Kurtulmuş tha se nuk ulen të flasin për arsyet kryesore, por bota merret vetëm me pasojat.

– Islamofobia, sëmundje e rrezikshme bashkëkohore e shoqërisë perëndimore

Kurtulmuş vazhdoi duke theksuar se jemi dëshmitarë të tensioneve dhe konflikteve të shumta në botë, në radhë të parë në Lindjen e Mesme dhe shtoi se duhet të diskutohen shkaqet e këtyre krizave dhe problemeve dhe të kërkohet zgjidhje në bazë të tyre.

Ai tha se bota është dëshmitare e luftërave dhe kërcënimeve terroriste dhe se fuqitë e mëdha po e përdorin atë për të testuar fuqinë e tyre. “Të gjithë flasin për terrorizmin në botë, por askush nuk pyet se si ndodh që njerëzit në Afrikë që nuk kanë një pikë ujë të pijshëm, kanë në duar makina vdekjeje me vlerë miliona dollarë. Kush ua jep? Ku e gjetën terroristët e DEASH, PKK, PYD apo YPG në Lindjen e Mesme një logjistikë dhe mbështetje të tillë”, pyeti Kurtulmuş.

Ai tha se islamofobia dhe urrejtja ndaj Islamit dhe muslimanëve paraqet një kërcënim tjetër të madh për botën, që është rezultat i mentalitetit perëndimor dhe intolerancës ndaj të huajve.

“Këto dukuri nuk janë të rastësishme. Janë rezultat i mentalitetit të atyre që nuk pranojnë tjetrën. Urrejtja ndaj Islamit nuk është vetëm një politikë e zhvilluar kundër muslimanëve, por në të njëjtën kohë ajo paraqet një sëmundje moderne shumë të rrezikshme që helmon, shkatërron enët e gjakut dhe shkatërron brendësinë e shoqërisë perëndimore. Bota duhet të shërohet nga kjo sëmundje. Këtu shohim se është fryt i mentalitetit të atyre që e konsiderojnë veten më të rëndësishëm dhe më të mirë se të tjerët. Besoj se asnjë problem në botë nuk mund të zgjidhet derisa të zhduket ai mentalitet”, tha Kurtulmuş.

Ai foli edhe për konfliktet në Lindjen e Mesme dhe sulmet izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës dhe vuri në dukje se bota po dështon sërish në testin e njerëzimit. Me këtë rast, Kurtulmuş krahasoi Srebrenicën, Aushvicin dhe Gazën si vendet e krimeve më të mëdha dhe më të turpshme dhe shtoi se komuniteti ndërkombëtar ka rënë në provim në këto tre qytete.

“Njerëzit u masakruan para syve të botës perëndimore, në Gaza numri i të vrarëve i kalon 10 mijë, që është një nga barbaritë më të mëdha”, tha Kurtulmuş. Duke kujtuar Aushvicin dhe Srebrenicën si simbole të gjenocidit që ndodhën para syve të Perëndimit dhe Evropës, Kurtulmuş tha se koha po kalon, por gjakderdhja vazhdon përpara botës, e cila po shikon në heshtje.

“Si në Aushvic dhe në Srebrenicë, komuniteti ndërkombëtar ra në provim. Ata që shikuan në heshtje gjenocidin në Srebrenicë dhe ua dorëzuan viktimat boshnjake gjakpirësve, as nuk kanë turp të vijnë dhe të derdhin lot krokodili”, theksoi Kurtulmuş.

Kreu i parlamentit turk tha se sot para syve të botës po ndodh gjakderdhja në Gaza, e cila është e bllokuar nga ushtria nga të gjitha anët.

“Bota nuk ka parë kurrë një përdorim të tillë të forcës asimetrike si në Gaza. Numri i të vrarëve i kalon 10 mijë, spitalet janë bombarduar, nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë, nuk ka ushqim. Njerëzit nuk mund të kujdesen më as për të plagosurit e tyre, por i lënë pas. Bota po shfaq sërish të njëjtin qëndrim, disa kanë dalë në anën e keqbërësve, disa nuk shohin asgjë dhe për fat të keq disa janë bashkëpunëtorë në këtë turp. Megjithatë, në mbarë botën ka njerëz të ndërgjegjshëm që ngrenë zërin dhe thonë mjaft më”, tha Kurtulmuş.

Ai shtoi se Aushvici, Srebrenica dhe Gaza janë vendet e barbarive më të mëdha të kryera në epokën moderne.

“Unë e them hapur, pavarësisht se si kriminelët nga Aushvici dhe Srebrenica u nxorën dhe u dënuan para Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ata që kryejnë krime sot në Gaza gjithashtu do të mbajnë përgjegjësi”, tha Kurtulmuş.

Duke dënuar sulmet ndaj civilëve, pavarësisht nga cila palë janë kryer, Kurtulmuş tha se është krim të vrasësh çdo civil, por është krim edhe të bësh dallimin mes civilëve të vrarë. Kurtulmuş tha se bota nuk mund të shkojë më në këtë rrugë sepse Kombet e Bashkuara nuk kanë më kapacitet për të zgjidhur problemet dhe për të ndalur luftërat.

“OKB-ja nuk është më në gjendje të zgjidhë asnjë çështje globale, prandaj të rinjtë do të jenë dëshmitarë të sistemit të ri, sepse bota nuk i përket asnjë individi, por të gjithëve”, konsideron Kurtulmuş. Ai tha gjithashtu se problemi kryesor është mosfunksionimi i OKB-së, sepse pesë anëtarët e privilegjuar të Këshillit të Sigurimit mund të bllokojnë çdo zgjidhje.

“E them sërish, pas gjithë këtyre problemeve qëndron sërish mentaliteti. Bota nuk është e askujt, as nuk është trashëgimi e cilës do qoftë familje. Bota është e përbashkët për të gjithë njerëzit. Nëse mendoni kështu, nuk do të ndotni lumenjtë dhe mjedisin, nuk do ta ktheni hapësirën në vendgrumbullim satelitor dhe do të mund të gjejmë zgjidhje për problemet. Një tjetër gjë është se të gjithë njerëzit lindin të barabartë në botë. Një mendim i tillë nuk do të prodhonte racizëm dhe konflikte. E treta është barazia e sovranitetit të kombeve, asnjëri nuk është mbi tjetrin. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar drejtësinë në botë”, përfundoi Kurtulmuş.

– Zvizdiq: Arsimi është çelësi i suksesit

Nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, Denis Zvizdiq iu drejtua të pranishmëve dhe theksoi se ishte kënaqësi e veçantë për të, të fliste para studentëve të IUS, sepse si profesor universiteti e kupton këtë profesion si një privilegj të madh, por edhe një përgjegjësi.

“Vërtetë është një nder dhe kënaqësi të jesh në IUS, një nga institucionet arsimore më të etabluara në BeH”, tha Zvizdiq. Ai vuri në dukje rëndësinë e arsimit dhe shtoi se është e rëndësishme që të rinjtë të mësohen të jenë të moralshëm, të përgjegjshëm dhe solidarë për të mirën e të gjithë komunitetit.

Zvizdiq kujtoi fjalët e Sulltan Mehmed Fatihut, i cili aso kohe kishte thënë se morali vdes kur vritet arsyeja, se njerëzit fillojnë të ndahen kur vdesin arsyeja dhe morali, se drejtësia vdes kur vritet një gjykatës dhe se me vdekjen e drejtësisë gjithashtu vdes dhe shteti.

Ai theksoi se arsimi është motori më i rëndësishëm për zhvillimin dhe prosperitetin e shoqërisë.

Rektori i IUS-së, Ahmet Yildirim tha se ceremonia po mbahet në dritën e dy jubileve, 100-vjetorit të Republikës së Türkiyes dhe 20-vjetorit të hapjes së IUS-it.

“Me shumë krenari festojmë këto përvjetore të rëndësishme. Me besimin se pas fjalëve të presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, shekulli i ardhshëm do të jetë shekulli i Türkiyes, ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të bëjmë përpjekje që të jemi edhe më të mirë dhe më të dobishëm. Ne jemi një universitet i ri dhe në 20 vjet jemi rritur në një universitet të respektueshëm në Bosnjë e Hercegovinë, në Ballkan dhe në Evropë”, tha Yildirim.

MARKETING