Netanyahu për sulmet ndaj Gazës: Ky është vetëm fillimi

Netanyahu për sulmet ndaj Gazës: Ky është vetëm fillimi

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ofensiva në Gaza është “vetëm fillimi”, transmeton Anadolu.

“Ne po godasim armiqtë tanë (Hamasin) me forcë të paprecedentë dhe konfirmoj se ky është vetëm fillimi. Armiqtë tanë sapo kanë filluar të paguajnë çmimin”, tha ai në një deklaratë televizive të transmetuar nga media izraelite Channel 12.

Netanyahu tha se Izraeli do ta përfundojë betejën në një kohë që e sheh të përshtatshme pasi Hamasi të jetë mposhtur.

Ai theksoi se Tel Avivi po mobilizon mbështetje masive ndërkombëtare për operacionin, duke shtuar se pret furnizime me municione dhe armatim nga SHBA.

Netanyahu është zotuar disa herë se do të eliminojë lëvizjen e Hamasit që nga fillimi i operacionit “Tufani i Aksa-së”.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të pandërprerë dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i papritur shumë-dimensional, përfshirë një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Më pas, ushtria izraelite nisi operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigjja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që është përfshirë nga rrethimi që nga viti 2007.

MARKETING